Robert Lewandowski është sot 36 vjeç, por ka shënuar 14 gola në 12 ndeshje. Prej tyre, katër dopieta dhe një “hat trick”. Tri ndeshje radhazi ka shënuar gola, ndaj Young Boys, Alavés dhe Sevilla. Ai është golashënuesi më i mirë i padiskutueshëm i La Liga-s. Sulmuesi polak e ka nisur frikshëm sezonin 2024-2025, ai është në top-formë pak para përballjes me ish-skuadrën e tij, Bayern Munich.
Barça do të luajë të mërkurën ndeshjen më të komplikuar të fazës së parë të Champions League. Skuadra katalanase i kryqëzon rrugët me “xhelatin” e saj të viteve të fundit, Bayern Munich. Ashtu si skuadra blaugrana në La Liga, ku është kryesuese, edhe qendërsulmuesi polak po shkëlqen. Lewandowski në tri ndeshjet e fundit ka shënuar 7 gola.
Barcelona ishte e sigurt se ardhja e trajnerit Flick do ta motivonte edhe më shumë Lewandowskin. Polaku shënoi 83 herë në 71 ndeshje, në të cilat ndanë së bashku dhomën e zhveshjes në Mynih. Edhe ky sezon premton shumë: në 12 ndeshjet e luajtura (10 në La Liga dhe 2 në Ligën e Kampionëve) ai ka shënuar tashmë 14 herë. Po ashtu ka dhënë dy asiste.
Gjendja e shkëlqyer e polakut, i cili luajti për skuadrën bavareze 8 sezone, është një nga argumentet kryesore të “culés” për të besuar në fitoren ndaj Bayernit të mërkurën e ardhshme, në kuadrin e xhiros së tretë të Champions League.