Lewandowski nuk mban më sekrete: Ja pse u largova nga Bayerni, u thanë shumë marrëzi për mua

30 Korrik 2022
11:00
Alfred Lleshi
back button

Robert Lewandowski siguroi se vendimi për t’u larguar nga Bayerni ishte i tij dhe akuzoi drejtuesit e klubit bavarez se gënjejnë për të. Nënshkrimi i mundshëm i Haaland, i cili në fund zgjodhi Manchester City, ishte një nga aspektet që u tha se e kishte shqetësuar polakun.

“Vendimi për t’u larguar nuk është për shkak të kësaj. Disa njerëz nuk e thanë të vërtetën, ndërsa për mua ishte gjithmonë e rëndësishme të isha i qartë. Ky ishte problemi. Në fund diçka nuk funksionoi mirë me mua dhe pashë që ishte koha për t’u larguar nga Bayerni për në Barcelonë”, – tha 34-vjeçari në një intervistë të gjatë për ESPN.

Sulmuesi këmbënguli në argumentin e tij: “Gjithçka që ndodhi javët e fundit ishte shumë politikë. Klubi u përpoq të gjente argumentet për të më shitur në një klub tjetër. Ndoshta tifozët dhe unë duhej ta pranonim këtë, edhe pse shumë marrëzi të rreme u thanë për mua”.

Në fakt, ai e pranoi mungesën e ish-shokëve të skuadrës: “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me shokët e skuadrës, stafin, trajnerin, do të më mungojnë, sepse kemi jetuar kohë të shkëlqyera. Ne nuk ishim vetëm miq në fushë, por diçka më shumë”.

Lewandowski foli për përshtatjen e tij në ekipin e ri, diçka që ai beson se është më e lehtë për shkak të përvojës që ka: “Me përvojën time është më e lehtë. Xavi më ka ndihmuar shumë, nuk kemi probleme komunikimi. Edhe shokët e skuadrës, të cilët i përgëzoj, sepse më duan, më ndihmojnë në çdo hap”.

Sigurisht, duke pasur parasysh nënshkrimet e shumta të skuadrës, polaku beson te versioni më i mirë i Barcelonës: “Ndoshta javët e para do të jenë pak më të vështira, por jam i sigurt se pas kësaj do të funksionojë çdo ditë, çdo javë më mirë se ajo e mëparshmja”.

Në skuadrën azulgrana ai është ribashkuar me Aubameyang, me të cilin përkoi te Borussia Dortmund: “Jam shumë i lumtur që mund të jem me të. Kaluam një kohë të mrekullueshme në Dortmund. Më kujtohet saktësisht se si luajtëm, çfarë bëmë në fushë dhe jashtë. Ai është një djalë shumë i mirë dhe shumë argëtues”.

Kur të zbresë në La Liga, do të përballet me Benzema, krahasimin me të cilin nuk e pëlqen: “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, siç e tregoi sezonin e fundit në Champions League kundër PSG, Chelsea apo Manchester City. Karim ka qenë në La Liga për 10 apo 12 vite, e njeh më së miri këtë kampionat. Nuk dua të krahasohem me të, sepse për mua kjo është një sfidë e re, ndërsa ai ka shumë vite atje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit