Liga e Europës / Evitohet përplasja e dy gjigantëve, short “ferri” për Juventusin

17 Mars 2023
13:17
Alfred Lleshi
back button

U hodh sot shorti i çerekfinaleve të Ligës së Europës, ku vazhdojnë të garojnë emra të mëdhenj të futbollit continental si Manchester United dhe Juventusi, ndër të tjerë. Goglat kanë evituar përballje mes “Zonjës së Vjetër” dhe “Djajve të Kuq” që në këtë raund, duke iu dhënë shpresë të dyja skuadrave që të vijojnë më tej.

Megjithatë, bardhezinjtë e Allegrit kanë “peshkuar” Sporting Lisbona, që eliminoi mbrëmë Arsenalin dhe ka bërë të njëjtën gjë me ta në Champions. Pra, një short “ferri” për torinezët.

Përballjet e këtij raundi janë këto:
Manchester United-Sevilla
Feyenoord-Roma
Leverkusen-Union SG
Juventus-Sporting CP

Ndeshjet e para çerekfinale do të zhvillohet më 13 prill, ndërsa të kthimit më 20 prill. Goglat i tërhoqi ish-futbollisti hungarez Zoltan Gera, tashmë trajner i ekipit hungarez U-21, ambasador i finales së Ligës së Europës që do të luhet më 31 maj në Budapest.

Krahas çerekfinaleve u përcaktua edhe skema e gjysmëfinaleve. Kështu, Roma dhe Juve, dy skuadrat italiane mund të takohen vetëm në finale. Nëse mposhtin Feyenoord, verdhekuqtë e Mourinhos do të përballen në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Bayer Leverkusen- Union SG. Në rast suksesi kundër Sportingut, bardhezinjtë e Allegrit do të përballen me fituesin e Manchester United-Seville.

Në mesin e tetë skuadrave të kualifikuara për në çerekfinale të “Europa League”, Juventusi është skuadra që ka përqindjen më të lartë të pasimeve të suksesshme (84.8%). Në vend të dytë është Manchester United me një përqindje prej 83.4%. Podiumin e plotëson formacioni holandez i Feyenoord (82.5%).

Feyenoord ka sulmin më të mirë në “Europa Legue”. Holandezët kanë shënuar 21 gola deri më tani. Në vendin e dytë është Manchester United i drejtuar nga Ten Hag, me 19 gola. Podiumin e kompleton formacioni belg i Union SG me 17 gola.

Roma e Mourinhos shquhet për strukturën e saj mbrojtëse. Skuadra verdhekuqe e ka mbajtur deri më tani 4 herë portën të paprekur në këtë kompeticion europian. Nga skuadrat që u kualifikuan në çerekfinale, vetëm Manchester United arriti të bënte më mirë në këtë drejtim, duke e mbajtur portën e paprekur në 5 raste.

Nga të gjitha skuadrat e kualifikuara për në çerekfinalet e “Europa League”, Roma e Mourinhos është skuadra që ka bërë më shumë goditje në portë. Verdhekuqtë kryesojnë klasifikimin special me 137 goditje në portë, përpara Manchester United (128) dhe Feyenoord ( 118).

Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 11 maj, ndërsa ato të kthimit më 18 maj 2023. Në fazën eliminatore nuk zbatohet rregulli i golave ​​si mysafir, i cili u hoq në fillim të sezonit 2021-2022. Ndeshjet e barabarta do të shkojnë në kohë shtesë dhe penallti, pavarësisht rezultatit të përgjithshëm. Finalja e “Europa League” 2022-2023 do të zhvillohet më 31 maj 2023 në “Puskàs Arena” të Budapestit, Hungari.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit