“Në vitin 2006 mund të kisha luajtur te Manchester United, por nuk jam penduar që nuk praniva”. Daniele De Rossi rikthehet të flasë, këtë herë në anglisht, si i ftuar në podcast-in e drejtuar nga Gary Neville, Roy Keane, Jamie Carragher dhe Ian Wright, edhe pse regjistrimi është bërë disa javë më parë.
Midis temave të ndryshme të trajtuara, ish-lojtari dhe trajneri i Romës u ndal te domethënia e të luajturit për Romën dhe disa vendime që ai i konsideron si “të gabuara në aspektin futbollistik.” Në veçanti kujton se mund të kishte luajtur për klube të mëdha europiane, në vend që t’i përkushtohej një karriere te Roma.
“Unë gjithmonë kam dashur të luaj për këtë skuadër, çdo fëmijë i lindur në këtë qytet e ka këtë ëndërr, – shprehet Daniele. – Ndonjëherë kjo ndodh dhe pastaj duhet të marrësh një vendim: nëse je mjaft me fat, mund të zgjedhësh të shkosh në një klub më të mirë ose të qëndrosh këtu. Unë mora vendimin tim, një vendim të gabuar futbollistikisht, por për mua shkoi mirë kështu. Nuk jam penduar”.
Kolegët e tij britanikë e pyesin pse mediat dhe mjedisi ushtrojnë një presion kaq të madh mbi Romën. “Është dashuria për këtë klub, mënyra si jemi ne, – përgjigjet De Rossi. – Nëse unë do të isha shef kuzhine, do të ishte po kështu. Nëse do të gatuaja një karbonara dhe nuk do të dilte mjaft e mirë, do të mërzitesha (qesh). Futbolli është shumë i rëndësishëm për italianët, veçanërisht në Romë.
E dimë që nuk jemi Real Madridi dhe shumë tifozë e pranojnë që nuk fitojmë trofe. Sidoqoftë, ata e duan besnikërinë e një lojtari, angazhimin e tij në fushë, edhe nëse nuk je nga Roma. Kemi kaluar 10-12 vite pa fituar, por jemi afruar shumë. Kjo është e çmendur, të rivalizosh kundër klubeve të ndërtuara me 200 milionë euro më shumë se ne. Nuk kemi fituar kurrë, por gjatë atyre sezoneve kemi fituar shumë ndeshje dhe tifozët ishin gjithsesi të kënaqur, sepse e vlerësonin paraqitjen tonë”.
Pastaj, zbulimi për Manchester United: “Kam qenë shumë afër, do të kishte qenë opsioni im i parë nëse do të largohesha nga Roma. Isha afër Manchester United, e konsideroja ekipin më të mirë në Angli. Përveç kësaj, pata edhe raste të tjera për të shkuar në klube të tjera”.
Roy Keane, duke bërë shaka, e pyet: “A doje të më merrje vendin mua?” De Rossi përgjigjet me humor: “Ti ishe tashmë plak, Roy. Në vitin 2006, gjatë Kupës së Botës, isha në aeroport dhe trajneri Lippi më thirri e më çoi në një dhomë të vogël, ku ishte Ferguson. Lippi më tha: Duhet të shkosh atje. Unë qëndrova në heshtje sepse ishte Ferguson dhe sepse kisha frikë nga Lippi. Ishte një bisedë që zgjati 3 minuta, asgjë serioze, por do të më kishte pëlqyer t’i thosha Fergusonit: Po, dua të vij”.
Ish-numri 16 i Romës rishikon fillimet e karrierës së tij gjatë intervistës: “Isha në ekipet e moshave që 12 vjeç. Stërvitesha në Trigoria, në të njëjtën strukturë që përdoret tani, por sigurisht që është modernizuar. Nuk luaja kurrë, isha gjithmonë në pankinë për 3-4 vitet e para. Isha një lojtar ndryshe, një sulmues shumë i lehtë, teknik, por jo agresiv. Pastaj kuptova që, nëse doja të luaja, duhej të ndryshoja pozicion.
Shkova në ekipin Primavera me të njëjtin trajner dhe gjeta hapësirë, sepse gjatë përgatitjeve verore shtatë mesfushorë u thirrën në ekipin e parë. Kur u kthyen, mendova se nuk do të luaja më, por trajneri vazhdoi të besonte tek unë dhe vazhdova të luaja. Pastaj Fabio Capello më pa duke luajtur te Primavera, më thirri në ekipin e parë dhe nuk u ktheva më pas”.
Batuta të tjera pasuan me Carragher-in rreth një ndeshjeje që në Romë kujtohet ende për arbitrimin skandaloz. “Në vitin 2001, Liverpool-i luajti kundër Romës në Kupën UEFA dhe vitin pasues luajtëm kundër jush në Champions League”, – kujton Carragher.
Ndërhyn shpejt De Rossi: “Po Jamie, por a e mban mend arbitrin e asaj ndeshjeje? Të gjithë e mbajnë mend Garcia Aranda këtu. Ai ishte momenti kur Roma fitoi titullin kampion. Me eliminimin nga Kupa UEFA, skuadra mundi të përqendrohej vetëm te kampionati, dhe këtu kjo ndodh një herë në 50 vite, kështu që të falënderoj (qesh)”.
Në fund, një koment për “Calciopoli”: “Ndodhi para Kupës së Botës 2006, ishte diçka e shëmtuar, edhe pse futbollistët nuk kishin asnjë lidhje. Ishim shumë të bashkuar. Kur arritëm në Gjermani, tifozët italianë që jetonin atje nuk shqetësoheshin për këtë skandal. Ishin të gjithë me ne, mbushën çdo stadium dhe na ndihmuan shumë, na shtynë deri në finale. Gjithsesi, unë u tregova budalla.
U përjashtova në ndeshjen e dytë për një goditje me bërryl. Nuk e shijova të gjithë rrugëtimin, lutesha për një shans tjetër, për të luajtur në finale. Lippi më donte, fliste me mua edhe pse në fshehtësi ishte i zemëruar. Isha i sigurt që do të më jepte një shans tjetër nëse arrinim në finale, pavarësisht gabimit që kisha bërë. Madje edhe ndihmësi i tij më tha që, nëse shkonim në finale, do të luaja. Dhe kështu ndodhi”.