Eintracht Frankfurt ka nxjerrë një hit të ri në Bundesligë. Ai quhet Omar Marmoush dhe po fiton një vëmendje të jashtëzakonshme në kampionatin gjerman.
Me 11 gola dhe 7 asiste, egjiptiani i lindur në vitin 1999 po tregon se është zbulimi i këtij sezoni në Gjermani dhe ka tërhequr vëmendjen e dy klubeve të mëdha europiane.
I pari është Bayern, klub i mësuar me investimet brenda kampionatit. Duke qenë se Leroy Sane, Serge Gnabry dhe Kingsley Coman po diskutohen si shitjet e radhës në “Allianz Arena”, Bayern ka mjaftueshëm hapësirë për sulmuesin. Ai mund të jetë zëvendësues i Harry Kane (në fund të karrierës), por mund të luajë edhe si sulmues krahu.
I dyti në radhë është Liverpool, i cili, ndryshe nga Bayern, është treguar më konkret. Klubi anglez ka trokitur në derën e Eintracht Frankfurt duke bërë një ofertë zyrtare për lojtarin. Darwin Nunez nuk ka treguar ende sesa vlen në “Anfield” dhe Marmoush mund të jetë një pasues perfekt.
Kontrata aktuale e Omar Marmoush skadon më 30 qershor 2027. Eintracht Frankfurt e di se ai nuk do të rinovojë për më tej, kështu që në 2025 ka shansin ideal për ta shitur shtrenjtë. Egjiptiani sot vlen 50 mln euro, por nëse radha e klubeve të interesuara shtohet, mund të kushtojë edhe më shumë.