Edhe pse shpenzoi mbi 500 milionë euro në merkaton e fundit, Liverpool duket se ende do vazhdojë me këtë “çmenduri”, duke bërë transferime të bujshme edhe në merkatot e ardhshme në vijim.
Mediat angleze raportojnë se Liverpool ka piketuar që tani zëvendësuesin ideal të Mohamed Salah. Egjiptianit i skadon kontrata në qershor të vitit 2027, ndaj dhe drejtuesit e klubit të kuq kanë filluar nga lëvizjet që tani për të gjetur një zëvendësues të denjë.
Sipas raportimeve të ndryshme, objektivi i madh i Liverpool për të zëvendësuar Salah është Michael Olise i Bayern. Francezi po shkëlqen te bavarezët, në sezonin e tij të parë pas transferimit nga Crystal Palace për 55 milionë euro, shënoi 20 gola dhe dha 23 asiste. Këtë sezon të ri, Olise ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 9 ndeshjet e para.
Liverpool është gati të shpenzojë 150 milionë euro për Olise, duke parë formën e tij të shkëlqyer. Përveç Liverpool, për 23-vjeçarin francez interesohet edhe Real Madrid. Megjithatë, largimi i Olise nga Bayern duket i vështirë edhe për një shifër 150 milionë euro. Kontrata aktuale e Olise me Bayern skadon në vitin 2029, por bavarezët duke parë interesin e klubeve të tjera po punojnë për të rinovuar deri në vitin 2031, ku dhe sigurisht do të ketë një rritje të ndjeshme të rrogës për sulmuesin anësor.







