Liverpool ka pritur gjatë që mesfushori i Real Sociedad, Martin Zubimendi, të transferohej në Premier League. Lojtari ka një klauzolë lirimi prej 55 milionë eurosh në kontratën e tij, shumë që “reds” ishin gati ta paguanin.
Gjithsesi, skuadra e La Liga duket se e ka bindur lojtarin të qëndrojë, duke i ofruar një kontratë të re, natyrisht me pagë më të lartë. Një vendim që ka lënë disi të zhgënjyer drejtuesit e Liverpool, që shpresonin shumë.
Trajneri i “reds”, Arne Slot, këmbëngul se Liverpool është i fortë pavarësisht se nuk ka transferime deri më tani. Natyrisht që ai ka pritur mbërritjen e Zubimendi apo të ndonjë lojtari tjetër, por nuk ndihet i shqetësuar.
“Natyrisht, ju mund të përmendi çdo emër që dëshironi. E kam thënë, kam trashëguar një ekip vërtet të fortë. Nëse mundemi dhe nëse mendojmë se është e mundur, do ta forcojmë skuadrën”, u shpreh trajneri Arne Slot.