Lojërat Olimpike “Paris 2024” ngrenë zyrtarisht siparin, spektakël ngjyrash në lumin Sena, parakalon edhe Shqipëria

26 Korrik 2024
20:02
Telesport
back button

Ka startuar sot në mbrëmje edicioni i 33-të i Lojërave Olimpike “Paris 2024”, një event që rikthehet në kryeqytetin francez pas 100 vitesh. Kjo është hera e tretë që Parisi organizon këtë event olimpik (hera e parë 124 vite më parë), një aktivitet që ka nisur ndryshe nga të gjitha edicionet e mëparshme.

Ceremonia e hapjes nuk është zhvilluar në një stadium olimpik, por në lumin Sena, me sportistët që kanë parakaluar hipur mbi varka në një rrugëtim që zgjati mbi 6 kilometra. Mbi 320 mijë persona të pranishëm në brigjet e lumit, që kanë shijuar një spektakël të vërtetë ngjyrash e kulturash, në një organizim unik.

Ekipet pjesëmarrëse kanë parakaluar hipur në varka përgjatë lumit Sena dhe mes delegacioneve edhe ai shqiptar. Shqipëria përfaqësohet me 8 sportistë në këtë event olimpik: Luiza Gega e Franko Burraj (atletikë), Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev (mundje), Greisi Koxhaku e Kaltra Meça (not) si dhe qitësja Manjola Konini. Notarja e re Meça dhe mundësi Abakarov mbajtën së bashku flamurin kuqezi.

Pjesëmarrës në Olimpiadë janë në total 11,475 sportistë, të ndarë në 5,842 meshkuj dhe 5,633 femra, duke çuar efektivisht në barazinë gjinore për herë të parë. Duke parë kombet me më shumë sportistë, në vend të parë është Amerikë me 591 sportistë, ndjekur nga Franca me 571, Gjermania me 468, Australia 460, Japonia me 447, Kina me 404 e Italia me 402 sportistë.

Mes 205 delegacioneve të pranishm bien në sy mungesat e Rusisë dhe Bjellorusisë, të përfaqësuar nga ekipi i sportistëve neutralë. Në të njëjtën kohë, spikat edhe prania e ekspeditës së Sportistëve Olimpik Refugjatë me tridhjetë e gjashtë përfaqësues. Sportistja më e re e kësaj Olimpiade është kinezja Zheng Haohao, një specialiste e skateboard, 11 vjeçe e njëmbëdhjetë muaj.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit