Mesfushori uruguajan Manuel Ugarte ka përfunduar sot testet mjekësore dhe ditën e diel pritet të jetë në fushë për Manchester United. Duket se gjithçka është gati për debutimin e 23-vjeçarit, që u largua nga PSG.
Sipas mediave britanike, pavarësisht se lojtari nuk ka kryer ende asnjë seancë stërvitore me “djajtë e kuq”, trajneri Erik ten Hag do ta grumbullojë për ndeshjen e së dielës kundër Liverpool. Madje ai mund të aktivizohet në pjesën e dytë.
Klubi anglez po mbyll procedurat e federimit të tij dhe po sot pritet zyrtarizimi i Ugarte. United do t’i paguajë PSG-së fillimisht 50 milionë euro, plus 10 milionë euro në shtesa, të lidhura me performancën e lojtarit.
Gjithçka ka shkuar mirë dhe uruguajani do të nënshkruajë një kontratë afatgjatë. Një lojtar që “djajtë e kuq” e kanë kërkuar me ngulm, por marrëveshja është arritur vetëm në dy ditët e fundit.