Portieri i Manchester City, Ederson ka hedhur dyshime të mëtejshme për të ardhmen e tij me kampionët e Premier League. Ai ka pranuar se nuk është marrë ende asnjë vendim për të ardhmen e tij, ndërkohë që dy ekipe arabe e kërkojnë me ngulm: Al Ittihad dhe Al Nassr.
Madje ky i fundit ka bërë edhe një ofertë zyrtare për Ederson, por ajo u refuzua sepse ishte shumë më poshtë se sa pretendimet e “citizens”. Al Nassr, më pas vazhdoi për të nënshkruar me një tjetër portier brazilian, 25-vjeçarin Bento nga Atletico Paranaense.
Pep Guardiola tashmë ka shprehur dëshirën për të mbajtur Ederson në klub, ndërkohë që vetë portieri tha: “Nuk ka ende një vendim. Të dëgjoja Pep duke thënë se donte që të qëndroja ishte shumë kënaqësi”.
“Ky është sezoni im i tetë me Pep, duke jetuar së bashku shumë momente të mira e të vështira. Ai është një trajneri me të cilin është e lehtë të punosh, ai është një gjeni i futbollit dhe të gjithë e dinë këtë. Kështu që, është vërtet mirë ta dëgjosh këtë nga ai”, tha më tej Ederson.
“Jam i lumtur këtu, duke kaluar një moment të mirë me shokët e skuadrës. Çfarëdo që të ndodhë është në duart e Zotit dhe ai e di rrugën e duhur për të ecur. Çfarëdo që ai të më japë do të jem i lumtur”, tha Ederson.