Lucescu: E aktivizova Pirlon 16 vjeç në Serie A. Problemi i Italisë nuk është Spalletti, por trajnerët e klubeve

1 Korrik 2024
10:16
Alfred Lleshi
back button

Nëpërmjet faqeve të “Tuttosport”, Mircea Lucescu, trajneri i njohur rumun, ka thënë fjalën e tij për eliminimin e Italisë nga “Euro 2024”, duke prekur edhe temën e të rinjve dhe mungesën e guximit të klubeve të Serie A në aktivizimin e tyre:

“Gjithmonë iu kam dhënë të rinjve të mirë mundësinë të luajnë. Kam bërë që Pirlo të debutojë në Serie A kur mbushi 16 vjeç. Mosha nga 17 deri në 21 vjeç është më delikate për një lojtar. Pastaj ai rritet, shpërthen dhe bëhet kampion. Mund të ndodhë edhe të zhduket, kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Klubet elitare italiane i huazojnë të rinjtë në Serie B ose C, i lënë atje për disa vite, por duke e bërë këtë, ata përshtaten me nivelin e ulët. Kur më në fund sillen në Serie A, përplasen me lojtarë tashmë të pjekur, pa fituar aftësitë e duhura”.

Pra, a duhet të lejohen të luajnë në Serie A lojtarë nga mosha 17 deri në 21 vjeç?
Nëse ata janë të mirë, pse jo? Vitet nuk duhet të kalojnë për të shenjtëruar një talent. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë për t’i lejuar ata të luajnë.

Pra, problemi nuk është trajneri i kombëtares, por trajnerët e klubeve?
Më duket e qartë. Spalletti ka thënë që tani e tutje do të ndryshojë dhe do të fokusohet më shumë tek të rinjtë. Nuk kam dyshim se do ta bëjë këtë, por duhet të shohim nëse trajnerët e skuadrave të ndryshme do ta ndihmojnë. Po e bënë, edhe vetë do të përfitojnë nga të rinjtë e talentuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit