Ish-qendërmbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, ka parashikuar se Arsenali do të fitojë titullin e Premier League 2024-25.
Gjatë mbulimit të TNT Sports të Superkupës së Europës, 45-vjeçari tha:
“Mendoj se është e vështirë të shkosh kundër Cityt për shkak të suksesit të tyre gjatë katër sezoneve të fundit.
“Ata kanë vendosur një standard të ri dhe tani një rekord të ri prej katër titujsh radhazi dhe do të kërkojnë të vazhdojnë në këtë rrugë”.
Pas elozheve për City-n, Ferdinand përmendi se shtimi i Riccardo Calafiori në skuadrën e Topçinjve do të zgjidhte problemet e tyre në mbrojtje dhe do t’i jepte një avantazh londinezëve.
“Por mendoj se Arsenali mund t’ia dalë, veçanërisht pas blerjes së Calafiori-t që vjen në krahun e majtë. Mendoj se ai është një lojtar fantastik, ka luajtur në një ekip si Bologna nën drejtimin e Thiago Motta-s që kishte shumë rotacione, kështu që ai e kupton atë lloj futbolli që Mikel Arteta dëshiron të luajë”.
“Dhe unë mendoj se kjo ishte zona që ishte një dobësi e lehtë në ekip dhe mendoj se ai u jep atyre më shumë ekuilibër atje dhe pak stabilitet, i bën më të qëndrueshëm kështu që unë do të thoja Arsenali për të fituar titullin”.
Ferdinand gjithashtu parashikoi se Liverpool do të përfundonte i treti në sezonin e parë të Arne Slot në krye të klubit dhe Djajtë e Kuq të përfundonin të katërtit.