“Një gjë e kisha të qartë; që Mascherano dhe Busquets do të bëheshin trajnerë të mirë”. Ky është kujtimi i bukur që Luis Enrique ruan për të dy lojtarët, gjatë periudhës së tij si trajner i Barcelonës. Asturiani do të përballet sonte me Inter Miami, i drejtuar nga argjentinasi, ndaj ka përfituar nga rasti për të treguar një episod kur “El Jefecito” ishte nën urdhrat e tij te Barça.
“Bisedën e parë që kam pasur me Mascherano, kur unë isha trajner i Barçës, e kam bërë në ‘British School’ të Barcelonës, sepse vajzat tona shkonin bashkë në të njëjtën klasë. Ia bëra aty, sepse kishte një situatë pak të çuditshme rreth mundësisë që ai të largohej nga Barça. Më kujtohet që i thashë se as i dehur nuk do të ikte…
Nëse ishin dy lojtarë për të cilët nuk kisha asnjë dyshim se do të bëheshin trajnerë të mirë, sepse ata tashmë ishin trajnerë në fushë, ishin Javier Mascherano dhe Sergio Busquets. Prandaj, nuk kam asnjë dyshim se Busquets do të bëhet trajner i mirë, nëse ai do vetë”.
Pikante nga deklarata e Luis Enrique: “Për të qenë i sinqertë, nëse duam ta ndalim Messin, na duhen më shumë se një lojtar, përndryshe jemi të humbur. Duhet të mbrohemi së bashku dhe me më shumë se një lojtar, sepse Messi mund të driblojë këdo. Për mua, Messi është pa dyshim lojtari më i mirë në historinë e futbollit”.
“Do të jetë një ndeshje speciale dhe emocionale për mua, duke i parë sërish të gjithë këta lojtarë si Messi, Busquets, Alba, Suárez, dhe Mascherano. Ata janë për më shumë se ish-lojtarë, që i kam stërvitur. Janë miq të mitë”.







