Lukaku ishte gati për t’i thënë lamtumirë kombëtares belge: Henry më telefononte tri herë në ditë…

17 Tetor 2024
8:46
Alfred Lleshi
back button

Romelu Lukaku, sulmuesi i Napolit, ka folur në podkastin “Amici di Sport” duke trajtuar tema të ndryshme që lidhen me marrëdhënien e tij me fanellën e kombëtares belge. Gëzime, sigurisht, por edhe dhimbje. Si për shembull kur, pas Botërorit në Katar, ishte gati t’u thoshte lamtumirë “Djajve të Kuq”:

“Shpresoj të rizbuloj pasionin e të luajturit për ekipin kombëtar, që zjarri të më ndezë përsëri për ‘Djajtë e Kuq’. Pas Botërorit të Katarit kam qarë çdo ditë, për javë të tëra. Qëllimi i radhës me ‘Djajtë e Kuq’ është Kupa e Botës pas dy vitesh. Të rinjtë tashmë kanë bërë një rrugë të gjatë. Për sa i përket mentalitetit fitues, ata mund të bëjnë shumë më mirë”.

Më pas Lukaku shpjegon thuajse lamtumirën nga kombëtarja dhe logjikën pas saj: “Në Katar doja të isha atje për vendin tim, sepse trajneri dhe skuadra kishin nevojë për mua. Ishte hera e parë në 29 vite që futbolli më kishte dërrmuar shpirtërisht. Nuk mendoja kurrë për depresionin, por qava çdo ditë për javë të tëra, edhe me pushime. Thierry Henry më telefononte së paku tri herë në ditë për të më mbështetur në atë moment shumë të vështirë”.

Po cili është mendimi i tij për trajnerin Domenico Tedesco? Ja si përgjigjet “BigRom”: “Kur mbërriti në stolin e Belgjikës, unë doja të tërhiqesha. Ai më tha se kishte nevojë për mua, kështu që shkova në shtëpi, fola me familjen time dhe më pas vendosa të vazhdoja. Pas ndeshjeve në Suedi dhe Gjermani, unë ende kisha dyshime”.

Ja çfarë mendon ai për rastin Courtois-Tedesco: “Federata duhet ta kishte trajtuar më mirë situatën. Në konferencën e parë për shtyp duhet të kishte thënë: Nuk ka pyetje për Thibau dhe këtë çështje. Trajneri tha atë që kishte për të thënë, por federata duhej të kishte ndërhyrë. Tani kjo çështje po zvarritet përsëri, në cilin vend tjetër ndodh kjo?”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit