Lukaku rrëfehet në 360 gradë: De Bruyne, cilësia që i duhej Napolit. Të kthehem tek Anderlecht? Më 2027…

24 Qershor 2025
8:40
Alfred Lleshi
back button

Romelu Lukaku ka folur sërish, pas përfundimit të sezonit, në të cilin fitoi një tjetër titull kampion, këtë herë me fanellën e Napolit, pas atij të fituar me Interin më 2020-2021. Në një intervistë për “Het Laatste Nieuws”, sulmuesi i Napolit tregoi gjendjen e tij shpirtërore:

“Në një shkallë nga 1 deri në 10, sot ndihem 11. Tani jam me pushime, është bukur të kthehesh për pak kohë në Bruksel. Po pushoj me fëmijët e mi (Romeo dhe Jordan), me nënën time, me vëllain tim. Dje isha në Efteling me fëmijët. Jam 32 vjeç dhe nuk kisha qenë kurrë më parë. Ishte super”.

A do të kishit preferuar të ishit në Botërorin për Klube?
Do të ishte një eksperiencë e bukur, por është gjithashtu mirë të relaksohesh pak dhe të flesh pak më vonë.

Çfarë mendoni për faktin që lojtarët si Doku janë detyruar të luajnë deri në limite gjatë këtij turneu?
Mendoj se futbolli duhet të evoluojë drejt një sistemi si NBA-ja. Edhe ata luajnë shumë ndeshje. Ne vrapojmë 15 kilometra për ndeshje, me një intensitet shumë të lartë, gjë që kërkon shumë nga trupi. Pra, duhet të ketë më shumë pushim. Do t’u jepja të gjithëve një pushim të detyrueshëm prej 6 javësh pas sezonit, si në NBA, e ndjekur nga 4 javë përgatitje. FIFPRO përfaqëson interesat e lojtarëve, por nuk njoh asnjë që të kenë ardhur ndonjëherë të na pyesin se çfarë mendojmë ne.

Lojtarët, që marrin pjesë në Botërorin për Klube, do ta nisin sezonin e ri të rraskapitur…
Po, por mund të ketë edhe efekt pozitiv. Je në formë, je brenda ritmit, kështu që nuk do të vuash shumë gjatë përgatitjeve për sezonin e ri.

Kur do të ktheheni në Napoli?
Më 15 korrik.

A do të luani akoma aty?
Do të qëndroj patjetër te Napoli.

Me De Bruyne, do të keni një bashkëkombas në skuadër…
Jam shumë i lumtur që po vjen tek ne. Është ai që i duhet Napolit për të bërë hapin tjetër cilësor. Sapo jemi shpallur kampionë dhe nuk duam vetëm ta konfirmojmë këtë, por edhe të përmirësohemi.

A keni pasur rol në ardhjen e tij?
Kam folur me të disa herë gjatë grumbullimeve të kombëtares, madje më telefonoi edhe vetë një herë. Ia shpjegova gjithçka për Napolin për gjysmë ore. E orientova edhe ku të kërkojë një shtëpi dhe gjëra të tilla. Dries (Mertens) dhe unë kemi bërë çmos për ta bindur, Kevin mori vendimin e duhur.

Napoli është ndryshe nga Manchesteri…
Një futbollist te Napoli merr shumë dashuri, jam i lumtur që Kevin do ta përjetojë këtë eksperiencë. Të luash futboll në Itali është e pakrahasueshme, ka një pasion që nuk e sheh dot askund tjetër. Sidoqoftë, ka edhe anën e errët. Kam luajtur në klube ku tifozët vinin në stërvitje, kur gjërat nuk shkonin mirë. Nuk është e këndshme, por atëherë e kupton që duhet të japësh maksimumin çdo ditë.

Çfarë do të thotë ardhja e tij për Napolin?
Antonio Conte më parë luante me dy sulmues, tani luan vetëm me një. E njoh, që nga stërvitja e tretë, linjat e vrapimeve dhe skemat sulmuese do të jenë të qarta.

A e keni realizuar objektivin, tani që keni fituar një tjetër titull?
E dija që do të shpalleshim kampionë. Në një moment u barazuam me pikë me Interin, por pastaj i dominuam zikaltrit. Sipas të gjithë ekspertëve, Interi ishte skuadra më e mirë në atë periudhë, por ne ishim më të fortë. Kishim shumë besim brenda grupit. Vetëm kur Conte, 5 ndeshje para fundit, tha ‘djema, tani jemi aty ku duhet, synojmë titullin’, atëherë morëm konfirmimin që na duhej. Edhe më pas ishte një rrugëtim emocionesh. Duhej ta kishim mbyllur shumë më herët atë punë.

I keni heshtur kritikët me një video…
Është thjesht historia e jetës sime. Që fëmijë, edhe kur kalova nga Wintam te Lierse, më shikonin çuditshëm. E njëjta gjë kur shkova tek Anderlechti. Pas asaj periudhe të vështirë te Chelsea (në verën e vitit 2023) të gjithë menduan se ishte fundi im, sepse u degdisa te skuadra B. Ajo ishte zgjedhja e tyre, unë doja të kthehesha në ekipin e parë, pas atij huazimi tek Interi. Qëndrova i qetë, sepse nuk doja të më fajësonin më vonë për diçka që do të pengonte transferimin. Duhej të luaja edhe shah nga ana mendore, por gjithmonë e kam ruajtur paqen time të brendshme. Kush më njeh e di që jam një profesionist i vërtetë.

Kur do të kthehesh tek Anderlecht?
Kam ende kontratë me Napolin deri në vitin 2027, dua ta çoj deri në fund. Dua t’i jap gjithçka këtij klubi që më dha besim kur askush tjetër nuk më donte. Pas kësaj, mund të jetë koha për t’u kthyer në shtëpi. Ia kam premtuar edhe djalit tim të madh, edhe ai luan tek Anderlecht. Shpresoj që deri atëherë të jenë zgjidhur edhe problemet e brendshme të klubit.

Në moshën 34-vjeçare do të mund të jepni ende kontribut në fushë për Anderlecht?
Nuk do të kthehem për t’u relaksuar, e dua shumë futbollin për një gjë të tillë. Nga ana familjare, mendoj që 2027 është momenti i duhur për t’u kthyer në shtëpi. Nëse ‘bishës’ brenda meje i thuhet diçka që mund të vazhdoj ende në nivelet më të larta, do ta bëj. Me ndihmën mjekësore të Lieven Maesschalck dhe doktor Kristof Sas, mund të luaj në nivele të larta aq gjatë sa të dua.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit