Lukaku te Milani, a është koha e duhur? Belgu si alternativë e Zirkzee, ja pikat e marrëveshjes

26 Qershor 2024
18:33
Alfred Lleshi
back button

Romelu Lukaku dhe Milani lidhen sërish me njëri-tjetrin. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, reflektimi që “Djalli” po bën lidhet me kostot, duke qenë se belgu nuk do t’i afrohej as 40 milionë eurove, të nevojshme për kartonin e Joshua Zirkzee, apo 50 milionëve për kartonin e Benjamin Sesko dhe Santiago Gimenez.

Kuqezinjtë do të përpiqen të bindin Chelsea që ta lërë “BigRom” të largohet në formë huazimi, edhe pse kjo hipotezë është pak më e komplikuar. Paga nuk do të ishte problem, pavarësisht se ish-lojtari i Interit fitonte 7 milionë e gjysmë euro në Romë. Kanë mbetur edhe 2 vite nga kontrata e tij me blutë e Londrës, por nuk ka gjasa që belgu të qëndrojë te Chelsea.

Ai është në kërkim të një klubi të ri, konkurrenca nga Napoli i Contes është e ashpër. Sidoqoftë, dështimi për ta shitur Osimhen po i bllokon disi napolitanët, të cilët nuk mund t’i lidhin më dy negociatat, duke qenë se skuadra që do të drejtohet nga Enzo Maresca nuk e synon më nigerianin për repartin sulmues.

Marrëdhëniet mes Milanit dhe Chelsea janë shumë të mira, siç dëshmohet nga marrëveshjet Loftus-Cheek dhe Pulisic verën e kaluar. Është e qartë se ardhja e Lukakut do të përjashtonte atë të Zirkzee, i cili do të humbiste kështu jo aq për shkak të kostos së klauzolës, por për shkak të 15 milionë eurove që Kia Joraabchian, agjenti që kujdeset për interesat e tij, kërkoi për të përfunduar transferimin e qendërsulmuesit holandez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit