Maldini i tretë për Italinë: Sa bukur të ndjek gjurmët e babait dhe gjyshit tim

8 Tetor 2024
15:06
Alfred Lleshi
back button

Daniel Maldini e komentoi kështu thirrjen e parë në kombëtaren italiane të drejtuar nga Luciano Spalletti. Një thirrje që shënon hyrjen në klubin italian të gjeneratës së tretë të Maldinëve, pas gjyshit Cesare dhe babait Paolo:

“Ndihem shumë krenar që jam këtu. Fjalët e trajnerit për mua më inkurajojnë shumë, dua të tregoj gjëra të mira në stërvitje. Sa shoh fotot e babait dhe gjyshit tim këtu, frymëzohem. Sa bukur të ndjek gjurmët e tyre në kombëtare. Jam vetëm në hapat e mi të parë, ndaj e jetoj gjithçka ditë pas dite”.

Maldini më pas kujtoi “jo”-në e tij për Venezuelën (nëna e tij ka origjinë venezueliane): “Po, më kontaktuan, por preferova të prisja momentin e duhur për Italinë, mendoj se ia vlente. Babi është i lumtur, të gjithë janë të lumtur për këtë zgjedhje. Normal që si fëmijë kam ëndërruar fanellën blu, më kujtohen pak gjëra për gjyshin tim. E di që ishte gjithmonë shumë pranë nesh, por kanë kaluar vite të tëra për të kujtuar episode të veçanta”.

Sulmuesi anësor i Monza tregoi gjithashtu pjekuri në matjen e fjalëve të tij: “Mendoj se është koha e duhur për thirrjen time të parë. Ka cilësi të jashtëzakonshme në këtë skuadër, por shpresoj të jem në gjendje ta ndihmoj në çdo mënyrë kombëtaren. Si futbollist frymëzohem nga Kaka”.

Së fundi, për një rikthim të mundshëm te Milani: “Nuk po mendoj për këtë, por gjithçka është e mundur. Jam duke menduar të bëj mirë, pastaj do të shohim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit