Maldini “shenjtëron” Real Madridin: Klubi më i madh në botë, i dyti vjen Milani

11 Dhjetor 2024
11:15
Alfred Lleshi
back button

“Besoj se Real Madridi është klubi më i madh në botë, ndërsa i dyti është Milani”. Kështu u shpreh Paolo Maldini, simbol historik i kuqezinjve dhe ish-drejtor i klubit nga “Via Aldo Rossi”.

56-vjeçari shtoi: “Madrilenët kanë një identitet të qartë. Ata kontribuojnë në krijimin e këtij identiteti unik përmes njerëzve si Florentino Perez, Emilio Butragueño dhe të gjithë atyre që punojnë çdo ditë në zyrat e Realit”.

Paolo Maldini, legjenda e futbollit italian dhe e Milanit, gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, shpesh ishte në radarët e klubeve më të mëdha në botë, përfshirë Real Madridin. Merenguesit, të njohur për përpjekjet për të nënshkruar me lojtarët më të mirë të historisë, kishin shprehur interes për Maldinin në disa raste. Megjithatë, kapiteni kuqezi mbeti i palëkundur ndaj Milanit, duke e bërë të qartë dashurinë dhe përkushtimin e tij ndaj klubit ku kaloi gjithë karrierën si lojtar.

Në një intervistë, Maldini pranoi se kishte pasur oferta nga klube të mëdha si Real Madridi, por e konsideronte Milanin si “shtëpinë” e tij dhe nuk kishte ndërmend ta braktiste. Besnikëria e tij ndaj kuqezinjve është një nga aspektet që e bën atë ikonë unike në botën e futbollit.

Edhe sot, emri i Maldinit përmendet me respekt në ambientet e Real Madridit, jo vetëm për shkak të cilësive të tij si mbrojtës legjendar, por edhe për etikën dhe qëndrueshmërinë që tregoi gjatë gjithë karrierës së tij sportive.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit