Manaj, “pa dorashka”: Goli i dytë i Kroacisë nisi nga faulli, do të japim gjithçka ndaj Spanjës

20 Qershor 2024
14:49
Alfred Lleshi
back button

E ka shënuar emrin e tij në dy ndeshjet e para të “Euro 2024”, ndaj Italisë dhe Kroacisë. Në të parën luajti si zëvendësues i Brojtës, në të dytën si titullar, deri në minutën e 85-të, kur u zëvendësua nga Mirlind Daku. Paraqitje e mirë e tij, edhe pse nën mbulimin e rreptë të 100-milionëshit të Manchester City, mbrojtësit Gvardiol.

Një ditë pas sfidës dramatike me ballkanasit e tjerë të këtij Europiani, të drejtuar nga Zlatko Dalic, sulmuesi ynë kuqezi doli në konferencë shtypi nga grumbullimi i kombëtares. Duke kaluar nga Kroacia te Spanja, ai nënvizoi:

“Kur mbaroi ndeshja me Kroacinë filluam të mendonim, mund t’i kishim marrë 3 pikët. Goli i dytë mund të jepej faull, por gjyqtari tha se nuk kishte asgjë nga VAR-i. Na mbeti pak pishman, pasi mund të kishim fituar. Tani duhet të fitojmë ndaj Spanjës. Kemi më shumë shanse nëse fiton sonte Spanja. Shpresoj të bëjmë historinë.

Goli i shpejtë me Italinë na bëri të tërhiqeshim shumë. Ndaj Kroacisë, pjesa e parë ishte ndër më të mirat e viteve të fundit. Goli i parë i pësuar na demoralizoi, na destabilizoi pak, por patëm forcë dhe barazuam me golin e Klausit. Duhet vlerësuar shumë ndihma e lojtarëve të ardhur nga stoli.

Goli është gjëja më e rëndësishme për një sulmues, por jemi ekip kompakt. Rëndësi ka të shënojmë, jo se kush. Spanja? Ekip shumë i madh. Por mundi sonte Italinë do të kemi më shumë shpresa. Ka lojtarë me shumë kualitet si Rodri, Lamine Yamal apo Morata. Të bëjmë ndeshjen tonë dhe të japim 100% nga minuta e parë deri tek e fundit.

Çfarë biseduam me shokët pas ndeshjes me kroatët? Shënuam në minutën e 95-të, ishim të kënaqur edhe me barazimin, por kryesore ishte të fitonim. Na kënaqi pjesa e parë dhe 20 minutat e pjesës së dytë që zhvilluam. Gjithçka mund të ndodhë në nivele të tilla, por u kthyem në Dortmund të kënaqur me barazimin.

Goli im? Shpresoj të kombëtarja të shënojë, rëndësi ka të fitojmë me Spanjën dhe të kemi mundësi të kualifikohemi. Atmosfera? Ekipi është shumë i motivuar. Ndeshja e fundit e grupit është “brenda ose jashtë”. Të gjithë do të jemi të përqendruar në maksimum. Emocionet janë të mëdha, gjithë Shqipëria dhe gjithë bota i ndjek këto ndeshje. Të futemi në fushë të përqendruar, që të mund të fitojmë dhe të arrijmë grupin.

Të gjithë ne lojtarët atë duam, të fitojmë ndaj Spanjë dhe të gëzojmë shqiptarët anekënd globit. Në pjesën e dytë ndaj Kroacisë, edhe ata nisën të sulmonin. Në të parën nuk patën hapësira, sepse zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Kroatët kanë lojtarë cilësorë, ndërrimet e tyre e rritën presingun lart. Mund ta menaxhonim më mirë pjesën e dytë, por jemi të kënaqur me barazimin.

Mungesa e golave nga qendërsulmuesit? Nuk ka lidhje me fatin, tre lojtarët që kanë shënuar kanë bërë gola shumë të bukur, gola vendimtarë. Shpresojmë që ndaj Spanjës të bëjë gol kush të mundet, rëndësi ka të fitojmë.

Shansi për gol ndaj Kroacisë? Në ndeshje ndryshojnë shumë gjëra dhe faktorë. Nuk është e lehtë ta kapësh kundërshtarin në kundërsulm, bie edhe fuqia kur merr topin, pasi je gjithë kohës duke vrapuar.

Dueli ndaj mbrojtësve spanjollë? Edhe Spanja ka mbrojtës shumë të mirë. Rëndësi ka që ekipi të ecë përpara. Jemi ekip kombëtar, nuk kanë rëndësi individualitetet, por ekipi. Duhet të futemi e të luajmë më fort se ndaj Kroacisë. Spanja është një nga ekipet më të mira në botë, të japim 100% nga minuta e parë deri tek e 95-ta”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit