Paraqitjet e mira si në Serie A ashtu dhe në kombëtaren italiane, kanë bërë që Manchester City të jetë gati të sjellë në Premier League mesfushorin Samuele Ricci. 23-vjeçari luan me Torino dhe kohët e fundit po shkëlqen në fushë.
Te “citizens” e konsiderojnë organizatorin e ri italian si të përshtatshëm për të zëvendësuar Rodri në mesfushë. Sipas “The Guardian”, ai që është interesuar për Ricci është vetë trajneri Guardiola, që së fundi ka qenë në Itali.
Ricci mund të luajë pozicione të shumta në mes të fushës dhe do të ishte perfekt për të mbuluar role të ndryshme në një sektor vendimtar. Ai është në sezonin e tij të katërt në Serie A, ku ka luajtur edhe me Empoli, ndaj ka përvojën e duhur.
Mediat britanike konfirmojnë se transferimi mund të kryhet që në janar edhe pse nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Vlera e kartonit të lojtarit thuajse është katërfishuar muajt e fundit dhe nga 10 milionë euro ka shkuar në 40 milionë.
Një shumë që ndoshta “citizens” nuk do ta paguajnë menjëherë, ndaj mund ta marrin lojtarin në formë huazimi në janar, me të drejtë blerje në fund të sezonit. Kjo do t’i jepte mundësi klubit ta shihte nga afër gjatë muajve në huazim.