Manchester City i Guardiolës theu rekordin historik të “Djajve të Kuq” në Champions League

24 Tetor 2024
12:21
Alfred Lleshi
back button

Ishte një natë speciale për Manchester City në Champions League, ajo e së mërkurës. Jo aq për golat e shumtë të shënuar ndaj Spartës së Pragës, çka ka vlerën e vet, sepse i çon “qytetarët” në kuotën e 7 pikëve në renditjen aktuale, por për çfarë fshihet pas fitores. Po, sepse me këtë rezultat skuadra e Pep Guardiolës ka vendosur një rekord të ri në kompeticion.

Më saktësisht, Manchester City u bë klubi me serinë më të gjatë si i pamposhtur në Ligën e Kampionëve, duke arritur rezultatin e 26-të radhazi të dobishëm (pa humbje). Më parë rekordi iu përkiste “kushërinjve” të Manchester United, të cilët ishin ndalur në 25 ndeshje të pamposhtur në këtë kompeticion.

Ndërkohë, Erling Haaland është i pandalshëm në Champions League. Mbrëmë shënoi dy gola në fitoren 5-0 ndaj Sparta Pragës, duke arritur 21 gola në total në 23 paraqitje të Champions League. Vetëm Ruud van Nistelrooy (20 gola në 21 paraqitje për Manchester United) ishte në gjendje të shënonte 20 gola në më pak ndeshje.

Repertori i golave ​​të Erling Haaland duket se nuk ka kufij. Norvegjezi edhe një herë festoi të mërkurën në Ligën e Kampionëve me një gol të ri akrobatik, të realizuar bukur, i cili na rikujtoi golin legjendar të shënuar nga Johan Cruyff kundër Atlético Madridit me fanellën e Barcelonës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit