Rodrigo Hernández Cascante, i njohur nga të gjithë si Rodri, fituesi i freskët i “Topit të Artë”, përfundoi në qendër të një debati të ashpër pse fitoi ai dhe jo Vinicius Junior. Sulmuesi brazilian i Real Madridit mbeti pa fjalë dhe së bashku me klubin e shokët e skuadrës (të nominuar për trofeun) bojkotoi ceremoninë e Parisit, të hënën.
Më pas përdori rrjetet sociale dhe garantoi ta japë përgjigjen në fushë. Gjithsesi, në të gjitha këto, sytë e botës kanë përfunduar te mesfushori spanjoll i Manchester City, i cili ka kontratë në fuqi deri në vitin 2027.
Duke folur për këtë, radiostacioni “Cadena SER” sqaroi se Manchester City tashmë ka treguar se dëshiron ta rinovojë kontratën me Rodri sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht dëmtimit të rëndë, që do ta detyrojë atë të humbasë gjithë sezonin.
“Qytetarët” duan të ruajnë nivelet e larta të arritura vitet e fundit, mes Ligës së Kampionëve, Premier League dhe në fund fituesit të ‘Topit të Artë’ në skuadër. Një arritje që klubi anglez nuk dëshiron ta humbasë, për këtë arsye nuk do të ndalet derisa Rodri të rinovojë.
Optimizmi po filtron te Manchester City, besohet se rinovimi mund të vijë në fund të sezonit. Ndërkohë, megjithatë, siç zbulohet nga radio spanjolle, Rodri ka marrë tashmë oferta të tjera nga gjigantë të rëndësishëm.
Mbi të gjitha, hija e Real Madridit i shqetëson “qytetarët”, pasi zërat për interesimin e tyre të fortë qarkullojnë prej disa muajsh, sidomos pas largimit të Toni Kroos. Kjo është arsyeja pse mesfushori spanjoll është një nga objektivat e mëdhenj në “Bernabeu” për sezonin e ardhshëm.