Manchester City ka kryer goditjen e parë të merkatos së verës. Klubi anglez njoftoi transferimin e Sávio Moreira de Oliveira, i njohur si Savinho. Lojtari largohet nga Troyes, një tjetër klub në galaktikën e “City Football Group” dhe nënshkruan një kontratë deri më 30 qershor 2029.
Savinho, i cili kushtoi rreth 25 milionë, shpërtheu sezonin e kaluar te Girona (11 gola në 41 ndeshje), ku luajti s ii huazuar. “20-vjeçari është nënshkrimi ynë i parë i sezonit 2024/25. Savinho pati një sezon të jashtëzakonshëm në huazim te Girona, duke ndihmuar ekipin spanjoll për t’u kualifikuar në Champions League për herë të parë në historinë e saj”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa vetë lojtari brazilian, 7 ndeshje e 1 gol në kombëtare, tha: “Jam shumë i lumtur që i bashkohem Manchester City, kampionëve të Premier League dhe fituesve të Kupës së Botës për klube. Të gjithë e dinë se ata janë skuadra më e mirë në botë për momentin, kështu që të jesh këtu është shumë emocionuese për veten time”.
“Jam i emocionuar që kam mundësinë të punoj me Pep Guardiola, një nga trajnerët më të mëdhenj ndonjëherë. E di që do të më ndihmojë të përmirësohem edhe më shumë. Kam kaluar një kohë të mirë në Spanjë dhe mezi pres një sfidë të re”, tha Savinho
“Është emocionuese të luaj në Premier League përkrah disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Mezi pres të takoj tifozët dhe shokët e mi të rinj të skuadrës dhe shpresoj të ndihmoj për të sjellë më shumë sukses në City”, tha braziliani.