Skuadra e Manchester United nuk ndalet në merkaton e kësaj vere. Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, skuadra e “djajve të kuq” ka rënë parimisaht dakord me Manuel Ugarte për t’u transferuar në Premier League sezonin tjetër.
Mesfushori 23-vjeçar uruguajan luan me PSG në Francë, klub me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2028. Romano thotë se kushtet e kontratës janë diskutuar, me Ugarte të etur për t’u transferuar tek United edhe pse ekipi nuk luan Champions League.
Për pasojë, kanë nisur bisedimet mes dy klubeve, me francezët që kërkojnë rreth 45 milionë euro për mesfushorin e tyre. Ugarte ka të njëjtin agjent si Leny Yoro, i cili përfundoi lëvizjen e tij në “Old Trafford” të enjten për t’u bërë nënshkrimi i dytë i verës i United pas Joshua Zirkzee.
Ugarte u aktivizua në 37 ndeshje sezonin e kaluar me PSG, ndërkohë që aventura me kampionët e Francës duket se do të zgjasë vetëm një sezon për uruguajanin.