Marchisio: Kam refuzuar dy herë Milanin!

21 Mars 2019
10:11
Alfred Lleshi
back button

Claudio Marchisio u nda me Juventusin verën e kaluar, pas më shumë se 20 vitesh me fanellën bardhezi, ndërsa tani po përjeton një “rini të dytë” futbolli në Rusi.

Aktualisht pjesë e Zenitit, Marchisio ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola në Premier Ligën ruse. Kjo është aventura e tij e parë larg Italisë: "Klubi rus më bindi me projektin dhe mundësitë për të luajtur për trofe. Kam pasur oferta nga SHBA dhe Japonia. E kam thënë se pata hezitim për të vendosur, kryesisht për gruan dhe fëmijët e mi, por çdo ndryshim mjedisi të ofron stimuj dhe mundësi të reja. Zenit mund ta fitojë titullin e kampionit në Rusi, është mjaft mirë i strukturuar, si një klub i rangut të lartë europian".

Përgjatë rrugës së kujtimeve, ish-mesfushori bardhezi iu kthye lamtumirës ndaj Juventusit. Një vendim i vështirë, por i domosdoshëm: "Te Juventusi kam qenë për më shumë se dy të tretat e jetës sime. Mbërrita që fëmijë aty, as nuk e imagjinoja ta bëja realitet një ëndërr të tillë. Ishte një aventurë e mrekullueshme, por mbërriti në një fund. Klubi vendosi të ndaheshim, por edhe unë dëshiroja të ndryshoja. Natyrisht, nuk ishte kurrsesi e lehtë".

Ndërprerja e kontratës me klubin, në të cilin ai kaloi pothuajse të gjithë jetën e tij të futbollit, ishte një goditje në zemër, por Marchisio nuk ka keqardhje: "Unë kam dhënë kaq shumë, por edhe Juventusi më ka dhënë po kaq shumë. Nuk kam keqardhje. Në futboll, si në punë dhe në dashuri, ka shumë mënyra për t'i mbyllur historitë. Në fund të fundit e konsideroj veten me fat që kam veshur fanellën bardhezi. Dy finalet e Ligës së Kampionëve, 7 kampionate të fituar… E mbaj mend mirë edhe momentin kur nënshkrova kontratën e parë me Andrea Agnelli”. 

Gjithmonë besnik ndaj Juventusit në Itali, me përjashtim të një eksperience të shkurtër tek Empoli në sezonin 2007-2008, Marchisio mund të vishte fanellën e Milanit. Klub, që e ka refuzuar dy here: "Kam pasur dy herë oferta: njëherë me Allegrin trajner dhe pastaj me Montella. Gjithmonë kam marrë shumë oferta nga jashtë dhe nga Italia. Për mua, ekipi i rëndësishëm, përveç Juventusit, ka qenë gjithmonë Milani, por kurrë nuk do të kisha shkuar në një klub tjetër italian".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit