Giuseppe Marotta u bë presidenti i 23-të në historinë e Interit dhe festoi së bashku me anëtarët e tjerë të bordit drejtues e aksionerët, por tashmë, me pjesën tjetër të drejtuesve, ka nisur punën në “Viale della” për të ruajtur avantazhin ndaj konkurrentëve të drejtpërdrejtë në luftën për trengjyrëshin italian.
Gjëja e parë që duhet bërë nga Marotta në versionin e dyfishtë, të presidentit dhe CEO, është rinovimi i kontratave të Inzaghit, Lautaro dhe Barella. Të trija çështjet janë zgjidhur, mbetet vetëm të diskutohen detajet dhe të hidhen firmat. Të premten pritet të ketë një takim kokë më kokë me trajnerin, me të cilin tashmë kishte biseduar javën e kaluar (i pranishëm ishte dhe agjenti i tij).
Dëshira për të vazhduar bashkë është e përbashkët për të dyja palët, mbetet për t’u gjetur një marrëveshje për shifrën, me pjesën fikse të pagës dhe shpërblimet, që do të përshtaten. Inzaghi do të kërkojë, në përputhje me politikën e vetëqëndrueshmërisë së klubit, një sakrificë për të forcuar sulmin dhe ndoshta mbrojtjen, sepse sezoni i ardhshëm, për sa iu përket ndeshjeve të luajtura, do të jetë më stresues se kurrë, duke pasur parasysh praninë e Kupës së Botës për Klube në mes.
Barella ka rënë dakord prej disa kohësh për kontratën e re, por ‘drita jeshile’ është ndezur edhe për Lautaro, i cili ka thënë ‘po’ për një zgjatje deri në vitin 2029, me pagë 9 milionë euro neto, plus 1.5 milionë të tjera bonuse. Kapiteni ka vërtetuar dëshirën e tij të fortë për të qëndruar te zikaltrit, ndaj rruga e rinovimit nuk paraqet pengesa.
Dumfries gjithashtu duhet të rinovojë, por në krahasim me Lautaro dhe Barella ai ka një vit më pak angazhim, që do të thotë se kontrata e tij do të skadojë më 30 qershor 2025. Ideja është që të arrijë vendimi në kohën më të shkurtër të mundshme për të planifikuar, në rast se nuk ka “tym të bardhë”.
Interi, në fakt, dëshiron të shmangë një tjetër rast si Skriniar, pra largimin falas. Nëse holandezi nuk pranon të rinovojë, do të gjendet një ekip për të. Aston Villa është në horizont, edhe Manchester United gjithashtu mund të jetë i interesuar. Palët do ta dëgjojnë njëra-tjetrën si këtë javë, ashtu edhe javën e ardhshme, kur të ketë nisur Kampionati Europian.
Inzaghi, nuk është mister, do të donte konfirmimin e Denzel, por tani ka ardhur koha për t’u shtrënguar. Marotta e di mirë këtë dhe nuk dëshiron të humbasë kohë. Duke mbajtur parasysh vetëqëndrueshmërinë në treg, një politikë që do të zbatohet edhe me Oaktree, Interi shikon nga e ardhmja dhe, siç bëri dy vite më parë, duke shtuar Asllanin në skuadër, dhe vitin e kaluar me Bisseck, do të fillojë të mendojë për ndryshimin e brezave.
Ideja është të marrë një zëvendës për Sommer, i cili në dy sezone mund të zërë vendin e zviceranit. Bento pëlqehet, por kushton shumë; Martinez i Genoa dhe profile të tjera janë gjithashtu në radar. Sidoqoftë, mundësia për të konfirmuar Audero nuk duhet të hidhet poshtë, veçanërisht nëse Sampdoria e jep atë përsëri në huazim ose me një çmim të zbritur.
Interi do të donte që një qendërmbrojtës të vinte, së bashku me Acerbi (koha e rikuperimit 6 javë, pas operacionit të së hënës) dhe De Vrij si dhe një sulmues për të zëvendësuar Arnautovic, i vendosur për të qëndruar, por që kishte dy lëndime shqetësuese në sezonin 2023-2024.