Mascherano dhe Beckham i “përulen” Messit: Më i miri në histori, askush tjetër si ai

20 Qershor 2025
13:01
Alfred Lleshi
back button

Pas fitores 2-1 të Inter Miami ndaj Portos, që ka rilindur ambiciet e skuadrës amerikane në Botërorin për Klube, Javier Mascherano ka rezervuar fjalë të veçanta për protagonistin absolut të mbrëmjes, Lionel Messin.

“Përtej golit, e keni dëgjuar nga unë shumë herë: Leo është lojtari që na udhëheq në rrugën e duhur. Uria e tij, rezistenca, dëshira për të vazhduar të luajë në nivelet më të larta, me të vërtetë po na tregon rrugën që duhet ndjekur”,  tha trajneri në konferencë për shtyp.

Mascherano, ish-shok skuadre me Leon te Argjentina dhe Barcelona, tani trajneri i tij në Florida, nuk hezitoi ta riafirmojë admirimin: “Futbollistikisht, çfarë mund të thuhet më? Është lojtari më i mirë në histori. Ajo që vazhdon të na habisë është dëshira e tij për të fituar”.

Edhe David Beckham, bashkëpronari i Inter Miami, e nderoi yllin argjentinas me një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm në Instagram: “Askush si ai”. Bashkangjitur me mesazhin në fjalë edhe një foto e Messit, duke festuar në “Mercedes-Benz Stadium” të Atlantës. Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” ishte edhe një herë vendimtar ndaj Portos, teksa duket i vendosur të forcojë më tej statusin e tij si legjendë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit