Lothar Matthäus thotë në një artikull të botuar nga revista “Sport Bild” se është koha që Gjermania ta mposhtë sërish Spanjën në një turne madhor, 36 vite pas herës së fundit, në “Euro 1988”.
“Është pothuajse e pabesueshme, por në fitoren tonë të fundit kundër Spanjës, në një ndeshje zyrtare, isha në fushë si lojtar. Ne fituam 2-0 në fazën e grupeve të ‘Euro 1988’ dhe Rudi Völler i shënoi të dy golat, – kujton Matthäus. – Pas 36 vitesh është koha që ne ta mundim sërish Spanjën në një turne madhor”.
Matthäus shpreh keqardhjen që dy skuadrat tashmë do të përballen në çerekfinale të Europianit, çka do të thotë se bie poshtë preferenca e tij, që Spanja dhe Gjermania të takoheshin më 14 korrik, në finalen e Berlinit. Ish-lojtari i Bayernit dhe Interit tregon se është hera e parë që Gjermania nuk startonte si favorite në një turne të tillë, por beson se kombëtarja e tij mund t’i shkaktojë probleme Spanjës:
“Detajet do të vendosin. Është e rëndësishme që lojtarët tanë të luajnë deri në limite dhe në të njëjtën kohë të mos humbasin gjakftohtësinë e tyre. Të dyja skuadrat janë sulmuese. Mund të jetë një ndeshje spektakolare. Shumë do të varet nga tranzicionet. Unë shoh virtyte të ngjashme dhe defekte në të dyja kombëtaret”.
Matthäus thekson si shenjë të forcës spanjolle se lojtarë si Alejandro Grimaldo dhe Dani Olmo nuk kanë qenë titullarë deri më tani. Këtë e sheh si një avantazh, sepse Luis de la Fuente ka punuar me shumë nga lojtarët tashmë në kategoritë më të ulëta. De La Fuente, sipas Matthäus, “e ka bërë tiki-takën më fleksibël dhe më dinamike”.
Kjo e ka bërë Spanjën më të paparashikueshme, ndërsa ka ka lëvdata shtesë për Nico Williams: “Megjithatë, unë mendoj se Joshua Kimmich mund ta ndalojë atë. Ai tashmë ka luajtur me sukses kundër Mbappé, por ka nevojë për mbështetjen e shokëve të skuadrës. Ne duhet të mbyllim hapësirat në mënyrë që Williams të mos mund e shfrytëzojë dot shpejtësinë e tij”.
Nga ana tjetër, Matthäus është gjithashtu i bindur se David Raum mund të luajë me sukses kundër Lamine Yamal, megjithëse paralajmëron se nuk duhet nënvlerësuar. Përveç tyre, Spanja ka edhe projeksionet sulmuese të Dani Carvajal e Cucurella, si dhe mesfushës cilësore me Rodri, Pedri dhe Fabian Ruiz:
“Gjëja pozitive është se ne mund të tregojmë cilësi të ngjashme kundër këtyre lojtarëve të jashtëzakonshëm. Numri ynë 10 është më i rrezikshëm para portës, siç e tregojnë tre golat e tij në Europian. Ne kemi Toni Kroos, i cili e vendos ritmin nga pas. Ai është lideri dhe truri i ekipit gjerman. Pavarësisht nëse trajneri zgjedh Florian Wirtz apo Leroy Sané, nëse starton Kai Havertz apo Niclas Füllkrug, kombëtarja jonë mund t’i vërë në vështirësi spanjollët”.