Matthäus sulmon Guardiolën: E pashpjegueshme dhe e pafalshme gafa në finalen e Champions-it

1 Qershor 2021
14:40
Alfred Lleshi
back button

Lothar Matthäus ka analizuar finalen e Ligës së Kampionëve në kolonën e tij për “Sky Sports”. Ish-lojtari gjerman ka qenë shumë kritik ndaj Guardiolës për qasjen e tij në ndeshje, për rreshtimin e një ekipi pa një mesfushor-mbrojtës. Gjermani beson se shumica e fajit për humbjen e Manchester Cityt kundër Chelsea ishte e trajnerit spanjoll.

“A ka mbaruar koha e Guardiolës te Manchester City?” – pyet veten Matthäus në tekstin që shkruan. Dhe vetë e jep përgjigjen: “Unë jam i sigurt që do të ketë diskutime të brendshme për t’u ndarë nga ai. Lojtarët do të dyshojnë tek ai nga kjo finale. Edhe një herë Pep donte të provonte diçka, të paraqitej si gjeni në momentin më të keq të mundshëm. Dhe mori një humbje plotësisht të merituar. Në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së klubit, si mund të bësh prova, të luash pa një mesfushor-mbrojtës, i cili ka qenë në fushë në pothuajse çdo ndeshje të këtij sezoni, duke sjellë ekuilibër, duke iu dhënë të gjithëve besimin që nevojitet? Gjashtë sulmues dhe gjithashtu pa një qendërsulmues?”

Matthäus beson se qasja taktike e Guardiolës i hutoi lojtarët në fushë: “Disa nga lojtarët që ishin në fushë nuk dinin ku të shkonin, sepse trajneri i vendosi në pozicione të çuditshme për ta. Kjo është gjëja më e keqe që një trajner mund të bëjë. E pashpjegueshme dhe e pafalshme. E garantuar, Pep ka humbur shumë kredite me të gjithë, të brendshëm dhe të jashtëm, duke bërë këtë. Sidomos me lojtarët e tij. Dhe kjo është e vështirë të rikuperohet.

Unë nuk do të çuditesha nëse koha e Pep Guardiolës te Manchester City ka mbaruar. Mbeta i befasuar kur dëgjova atë që kishte për të thënë pas ndeshjes. Unë mendoj se ai do të bënte përsëri saktësisht të njëjtën gjë. Pep është një trajner i shkëlqyeshëm, shumë i dekoruar. Ai duhet ta dijë më mirë se kushdo që gaboi, por fatkeqësisht nuk e pranoi këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit