Matthäus: Triumfi i Musiala në garën për “Topin e Artë” varet nga… Bayern Munich

7 Shtator 2024
17:44
Alfred Lleshi
back button

Lothar Matthäus ka reaguar ndaj mungesës së Jamal Musiala në listën e të nominuarve për “Topin e Artë” 2024, duke theksuar se, që sulmuesi i Bayernit të ketë të drejtë ta fitojë atë, klubi i tij “duhet të triumfojë sërish”.

Në një prononcim për gazetën “Bild”, ish-mesfushori historik, i cili do ta kishte përfshirë bashkëkombasin e tij në mesin e 30 kandidatëve, siç bëri me forcë një ditë më parë edhe drejtori sportiv i bavarezëve, Max Eberl, theksoi: “Për t’u kthyer në rrugën e fitores, entiteti bavarez duhet të rikuperojë ndjenjën e përkatësisë, e cila kohët e fundit ka humbur plotësisht. Kjo duhet të rritet sërish në ekip, por edhe në fushën menaxheriale”.

“Me gjendjen e keqe që ka mbretëruar te Bayerni në dy vitet e fundit, asnjë lojtar nuk mund ta fitojë ‘Topin e Artë’, – konfirmoi ish-kapiteni i Gjermanisë. – Unë e fitova ‘Topin e Artë’ në vitin 1990 sepse luajtëm mirë tek Interi dhe ishim kampionë bote me kombëtaren gjermane. Pavarësisht se sa luani individualisht dhe shënoni shumë gola, nëse nuk fitoni asgjë me ekipi juaj, keni pak shanse për këto çmime”.

Ish-lojtari i Bayernit shtoi: “Musiala ka gjithçka që i nevojitet për ta fituar ‘Topin e Artë’, falë të kuptuarit të lojës, lëvizjeve dhe trajtimit të topit. Ai mund të bëjë gjëra që shumica e njerëzve as nuk i besojnë dot. Kohët e fundit, gjithashtu ka përmirësuar ndjeshëm finalizimin para portës kundërshtare. Kjo është arsyeja logjike dhe e saktë që ta synojë ‘Topin e Artë’. Sigurisht, ai do të konsultohet me njerëzit e duhur për të ditur se si mund të bëjë më mirë”.

Në këtë kuptim, legjenda gjermane e futbollit guxoi t’i sugjerojë diçka publikisht: “Para se të vendosë nëse do ta zgjasë kontratën e tij me Bayernin, e cila skadon në vitin 2026, duhet të vëzhgojë me kujdes se si klubi po zhvillohet në aspektin sportiv, pasi gjërat nuk kanë qenë ideale kohët e fundit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit