Kylian Mbappé foli si kapiten i Francës para ndeshjes me Irakun në Botërorin 2026. Sulmuesi i Real Madridit tha se futbolli ndikohet gjithmonë nga skuadrat fituese: “Ekziston një kulturë e momentit. Më parë të gjithë donin të kopjonin Barcelonën, më pas Real Madridin, ndërsa tani kundërpresingun e PSG-së. Skuadra që fiton është gjithmonë ajo që frymëzon të tjerët”.
Mbappé theksoi se Franca është bërë më sulmuese krahasuar me Botërorët 2018 dhe 2022, duke shtuar se grupi është forcuar me talente të rinj, por se një Botëror mbetet gjithmonë i paparashikueshëm.
Sa i përket pozicionit në fushë, ai tha se nuk ka preferencë të veçantë: “Ndihem mirë fizikisht dhe mendërisht. Pozicioni nuk është aq i rëndësishëm, pasi gjithçka varet nga dinamika e lojës. Mund të luaj në të tria pozicionet e sulmit”.
Duke komentuar dy golat në debutimin e tij në Botëror, Mbappé tregoi përulësi: “E di që kam cilësi, por nuk besoj se një dygolësh në ndeshjen e parë mjafton për të treguar gjithë talentin tim në skenën më të madhe”.







