Mbrojtësi-goleador i Spanjës, Ramos barazon rekordin e sulmuesit historik

11 Qershor 2019
11:58
Alfred Lleshi

Ishte mbrëmja e Sergio Ramos. Së pari, se regjistroi 122 fitore me fanellën e Spanjës, duke tejkaluar cilindo futbollist të “La Roja” në këtë drejtim (edhe Casillas, që mbante kreun), por edhe këdo tjetër në botë, me kombëtaret e tyre. Së dyti, sepse e vuri në shinat e sigurta fitoren 3-0 ndaj Suedisë, duke shënuar golin e dytë e të qetësisë nga penalltia. Ky gol ishte “jubilar” për kapitenin e Real Madridit, sepse koinçidoi me të 20-in e tij me kombëtaren e Spanjës. Si të ishte një goleador i vërtetë, jo qendërmbrojtës! 

Me “rrjetën” kundër Suedisë, Sergio Ramos ka arritur të shënojë në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit të Spanjës, pa humbur takimin me golin në katër “stacionet” e ndeshjeve ndërkombëtare, këtë sezon. Përveç kësaj, ai e rriti numrin e penalltive të suksesshme të sezonit në 11, në po kaq penallti të ekzekutuara. Pra, një ekzekutues perfekt nga pika e bardhë. 

Me 20 gola në “llogarinë” e tij personale, Ramos barazon Telmo Zarra te Spanja, sulmuesin historik në shtetin iberik, prej të cilit ka marrë emrin edhe trofeu i golashënuesit më të mirë në La Liga, “Pichichi”. Kapiteni i “Los Blancos” është tashmë i 11-ti në listën e shënuesve më të mirë të kombëtares spanjolle. Ai mbetet dy gola mbas rekordit të Passarella, si mbrojtësi më golashënues në histori, me ekipin e tij kombëtar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit