McLaren bën ligjin në shtëpinë e Verstappen, triumfon Norris dhe shpreson për botërorin

25 Gusht 2024
16:34
Telesport
back button

Lando Norris me McLaren fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Holandës në Formula 1, duke triumfuar në pistën e Zandvort. Një triumf i merituar i pilotit britanik, arritur në shtëpinë e rivalit të tij kryesor për titull, Max Verstappen, i dyti. Para fansave të tij, kampioni i botës me Red Bull nuk arriti dot të triumfojë.

Në vendin e tretë u rendit makina Ferrari e Charles Leclerc, që ngjitet kështu në podium. Monogasku arriti të lërë pas Oscar Piastri me makinën tjetër McLaren (i katërti) falë një strategjie më të mirë në ndërrimin e gomave. Gjithsesi, “kokëkuqja” ishte larg kreut.

Rikthimi i garave pas pushimeve verore konfirmoi edhe një herë duelin mes McLaren dhe Red Bull, me britanikët ndjeshëm më superiorë në pistë. Për Verstappen kjo është gara e pestë radhazi pa fitore dhe tashmë kryeson me 69 pikë diferencë ndaj Norris, por paraqitjet e fundit bëjnë britanikun optimist.

Për Norris ky është triumfi i dytë në karrierë, të dyja këtë sezon. Beteja më e madhe u bë për zonën e pikëve, ku në vendin e pestë u rendit spanjolli Carlos Sainz me Ferrari. Ai la pas meksikanin Sergio Perez me Red Bull e dy makinat Mercedes të George Russell e Lewis Hamilton. Në pikë edhe Gasly e Alonso.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit