Me më shumë se 50 milionë kërkesa për bileta në dy fazat e aplikimit, kompeticioni i Gjermanisë, që startoi mbrëmë, është zyrtarisht Kampionati Evropian më i kërkuar i UEFA-s i të gjitha kohërave. Për të plotësuar numrin e lartë të kërkesave, afro 2.3 milionë bileta (ose 85%) nga 2.7 milionë bileta në total u vunë në dispozicion të publikut të gjerë dhe tifozëve të skuadrave.
Deri më tani janë vënë në dispozicion 93.147 bileta më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht, që do të thotë se më shumë mbështetës se kurrë do të kenë mundësinë të brohorasin kombëtaret e tyre nga tribuna.
Numri shtesë i vendeve në dispozicion rezultoi nga kthimi i biletave dhe finalizimi i konfigurimeve të stadiumeve. Si pjesë e programit “Fans First”, këto bileta u ofruan dhe u blenë nga tifozët që fillimisht nuk ishin të suksesshëm në blerjen e tyre.
Shitja e biletave përmes shifrave
– Rekordi prej 20 milionë kërkesash për bileta në fazën e parë për publikun e gjerë dhe 30 milionë kërkesa për bileta në fazën e dytë, kushtuar mbështetësve të ekipeve pjesëmarrëse.
– Tifozët nga vendet e mëposhtme kanë blerë më shumë bileta: Gjermania, Anglia, Austria, Zvicra dhe Holanda.
– Në shitjen e minutës së fundit, në maj, u ofruan mbi 100.000 bileta, me afro një milion fansa që vizituan portalin përkatës të UEFA-s për t’i blerë ato.
– Numri i biletave të alokuara për publikun e gjerë deri më tani: 1.266.004.
– Numri i biletave të shitura dhe të rezervuara aktualisht për tifozët e ekipeve pjesëmarrëse: 1.027.143, nga të cilat 220.767 janë të rezervuara për tifozët e ekipeve që kualifikohen në ndeshjet me eliminim direkt.
– Ndeshjet më të kërkuara ishin: finalja në Berlin, ndeshja hapëse në Mynih dhe gjysmëfinalet në Mynih e Dortmund.
Në përpjekje për të minimizuar rrezikun e falsifikimit të biletave, të gjitha janë shpërndarë nëpërmjet aplikacionit zyrtar të UEFA-s.
UEFA ka paralajmëruar tifozët për shitësit e paautorizuar të biletave, që synojnë të shfrytëzojnë kërkesën e lartë, duke përfshirë edhe ofrimin e biletave mashtruese në tregun sekondar. Gati 10.000 bileta tashmë janë anuluar përpara “Euro 2024”, pasi ato u ofruan dhe/ose u transferuan në kundërshtim me termat dhe kushtet e tyre. Tifozët, gjithashtu këshillohen fuqimisht të mos udhëtojnë në stadium pa bileta, pasi hyrja në stadium është e autorizuar vetëm me paraqitjen e një bilete të vlefshme.
Si për çdo turne, UEFA pret që sasi të vogla biletash të vihen në dispozicion të publikut të gjerë pak para ndeshjeve. Këto do të ofrohen për shitje në EURO2024.com/tickets.