Festa ka filluar te Manchester City për fitimin e titullit kampion, ndërkohë që klubi përgatitet për finalen e FA Cup, ku do të luajë ndaj Manchester United. Një nga protagonistët e këtij sezoni për “citizens” ishte mbrojtësi Ruben Dias.
Duke folur për triumfin e katërt radhazi në Premier League, ai tha: “Duket sikur gjërat përmirësohen nga viti në vit. Ky titull padyshim që do të thotë shumë për ne. Ne kemi hyrë në historinë e Premier League dhe të gjithë jemi shumë të lumtur për këtë”.
“Nuk mendoj se do ta kuptojmë ndonjëherë aq sa duhet se sa e mrekullueshme është ajo që kemi bërë. Sa më shumë të kalojnë vitet aq më shumë do të kuptojmë atë që kemi bërë. Tani bëhet fjalë për të shijuar momentin”, u shpreh Ruben Dias.
“Sezonin e ardhshëm do të jemi sërish këtu dhe ne duhet të vazhdojmë gjithmonë të ëndërrojmë. Jemi shumë të lumtur me atë që kemi arritur. Për ne mjafton të shikojmë çdo fillimsezoni, të shohim skuadrën që kemi dhe të shohim të gjitha mundësitë”, tha portugezi.
Ruben Dias lë kështu të hapur mundësinë për titullin e pestë radhazi. “Është një nxitje mjaft e madhe për të gjithë ne. Është e qartë se fitimi i titullit të katërt radhazi është tashmë diçka e jashtëzakonshme. Padyshim që do të thotë shumë për ne”, tha Dias.