Media italiane: Ja strategjia e ndjekur nga Shqipëria për t’u kualifikuar në “Euro 2024”

1 Qershor 2024
12:27
Alfred Lleshi
back button

Shqipëria do të jetë kundërshtari i parë që do të përballet me kombëtaren e Luaciano Spallettit në “Euro 2024”, ndaj media italiane ka nisur t’iu kushtojë vëmendje kuqezinjve tanë: “Ndeshja mes dy skuadrave është shumë e pritur nga futbolldashësit, kuriozë për të parë paraqitjet e Shqipërisë në fushë, një skuadër që ka treguar cilësi të shkëlqyera teknike në procesin kualifikues, ndaj shumë ekspertë të basteve nuk përjashtojnë surpriza të mundshme në rezultatin e ndeshjes. Por cila është strategjia e zbatuar nga ekipi ballkanik për të fituar një vend ndër më të mirët në Evropë? Le ta zbulojmë së bashku.

Qasja e re taktike e Sylvinho
Sylvinho, një ish-student i Roberto Mancinit, që mori detyrën nga Edoardo Reja më 2023, vlerësohet se ka prezantuar një qasje taktike krejtësisht inovative, bazuar në kalimin nga 3-5-2 në 4-3-3. Miratimi i këtij moduli të ri ka lejuar që ekipi të jetë më kompakt në mbrojtje dhe të përdorë më mirë krahët e mesfushorët në fazën e sulmit.

Megjithatë, sekreti i strategjisë së Sylvinho nuk konsiston vetëm në ndryshimin taktik, por në aftësinë për të zbuluar dhe rritur talentet e reja, të pa thirrur më parë në kombëtare. Mes tyre është edhe Asani, i cili është shfaqur si një nga protagonistët e mëdhenj të kësaj fushate kualifikuese, pasi ka shënuar 3 gola vendimtarë gjatë eliminatoreve.

Pa përmendur kontributin e lojtarëve që luajnë në skuadrat e Serie A si Berisha, Hysaj, Djimsiti, Ramadani dhe Bajrami, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të skuadrës kuqezi, duke sjellë përvojë dhe soliditet.

Algoritmi i krijuar nga Alarico Rossi
Një tjetër element inovativ i strategjisë së kombëtares shqiptare qëndron në formulën e krijuar nga Alarico Rossi, analisti i ndeshjeve me origjinë toskane, që ndryshoi mënyrën e rekrutimit të lojtarëve.

Qasja e adoptuar nga departamenti përzgjedhës i kombëtares shqiptare është në fakt shkencore, e cila nëpërmjet analizës së të dhënave si karakteristikat fizike dhe teknike të lojtarëve, niveli i skuadrës dhe shpeshtësia e aktivizimit, e ka bërë kombëtaren e Sylvinho të tërheqë talente të shumta me prejardhje shqiptare, por që në fakt nuk kanë lindur në Shqipëri.

Momentet vendimtare të kualifikimit për “Euro 2024”
Rruga e Shqipërisë drejt kualifikimit u karakterizua nga disa ndeshje kyçe, në të cilat skuadra tregoi qëndrueshmëri të madhe. Ky është rasti i fitores ndaj Polonisë, që ishte vendimtare në konsolidimin e pozicionit të skuadrës kuqezi, apo edhe përballjet me Çekinë dhe Moldavinë, ku mundi të ruante një përqendrim të lartë, duke marrë pikë të çmuara.

Duket qartë se përgatitja e skuadrës ka qenë e përpiktë, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë fizik e mendor. Seancat stërvitore intensive dhe të synuara i lejuan lojtarët të ruanin një gjendje të shkëlqyer fizike gjatë gjithë kohëzgjatjes së kualifikueseve, duke qëndruar koheziv dhe të motivuar.

Përplasja me Italinë tashmë është afër
Më pak se tri javë para fillimit të kompeticionit, në Dortmund po shtohen pritshmëritë për ndeshjen që do të përballë skuadrat e Sylvinho dhe të Spalletti. Edhe pse bastet konsiderojnë favorite Italinë, kombëtarja shqiptare nuk është një kundërshtar për t’u nënvlerësuar.

Mposhtja e skuadrës italiane është sigurisht një sfidë e madhe për Shqipërinë. Megjithatë, me përzgjedhjen e kujdesshme të lojtarëve të aftë për t’u përshtatur në mënyrë të përsosur me stilin e ri të lojës, skuadra e Sylvinho ka treguar tashmë se mund të konkurrojë në një nivel të lartë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit