Mediat katalanase i bëjnë jehonë Sylvinho: Trajner i Shqipërisë, vendim me rrezikshmëri të lartë

22 Nëntor 2023
10:40
Alfred Lleshi
back button

Suksesi i Sylvinho në stolin kuqezi po bën xhiron e botës. Sidomos për mediat katalanase, kualifikimi i tij në finalet e “Euro 2024” me kombëtaren shqiptare përbën lajm. Ka qenë “Sport”, ajo që i ka kushtuar një shkrim special brazilianit, që dikur ka luajtur me Barcelonën, por tashmë po spikat edhe si trajner:

“Karriera në stol e Sylvinho, ish-mbrojtësit të majtë të Barçës, u ndal pasi u shkarkua nga Corinthians (klubi ku ishte stërvitur si lojtar) në fillim të shkurtit të vitit të kaluar. Ai e pagoi shtrenjtë paqëndrueshmërinë institucionale të “Timao”, skuadër e cila është ende larg ditëve të saj më të mira.

Ai ishte në kërkim të një eksperience të re “solo”, pas stërvitjes si asistent i Roberto Mancinit tek Interi dhe i Tite në kombëtaren braziliane. E provoi si trajner i parë me një qëndrim shumë të shkurtër te Olympique Lyon, ku gjërat nuk funksionuan për të. Federata Shqiptare e Futbollit e kontaktoi atë për t’u bërë trajner i kombëtares, një post, teorikisht për të qeshur në panoramën e futbollit europian.

Sylvinho bëri një vesh të shurdhër ndaj atyre miqve që e këshilluan të mos e lidhte emrin e tij me “shqiponjat”. Ai mori një vendim me rrezikshmëri të lartë, duke pranuar postin e trajnerit të Shqipërisë në janar të këtij viti, dhe në fund ia doli.

Shqipëria do të garojë në fazën finale të Europianit 2024 për herë të dytë në historinë e saj. “Shiponjat” u kualifikuan një ndeshje para fundit të fazës së grupeve, si si të parët në një grup ku nuk ishin favoritë. Në fakt, të kualifikuar në letër konsideroheshin Polonia e Lewandowskit dhe Çekia.

Imazhi i Sylvinhos është riparuar në vendin e “shqiponjave” dhe tashmë ka fituar besueshmëri ndërkombëtare. Në moshën 49-vjeçare, ai është ende një trajner i ri, studioz, këmbëngulës dhe shumë elastik”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit