Mertens me mision: Dua ta bind Callejon, të rinovojë si unë

5 Korrik 2020
12:03
Alfred Lleshi
back button

Dries Mertens gjithnjë e më shumë në historinë e Napolit. Së fundi është bërë golashënuesi më i mirë blu ndonjëherë, duke lënë pas Hamsik dhe, gjithashtu, ka nënshkruar rinovimin e kontratës deri në vitin 2022.
Lajmi më i mirë për tifozët napoletanë, që do ta admirojnë belgun edhe për të paktën dy vite të tjera. Situatë e kundërt për José Maria Callejon, i cili qëndroi deri në fund të sezonit si një akt dashurie ndaj një klubi, që gjithmonë e ka dashur atë.

I intervistuar nga “Il Mattino”, Mertens ka zbuluar se dëshiron ta bindë spanjollin me çdo kusht që të rinovojë, një përpjekje që deri më tani ka dështuar: “Unë u përpoqa ta bindja atë të qëndrojë. Dhe jam ende duke u përpjekur, nuk po heq dorë. Humbja e një shoku dhe bashkëlojtari si ai do të ishte keq. Të heqësh dorë nga një profesionist i jashtëzakonshëm si José nuk është e lehtë. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë, po mundohem ta bind. Ka akoma kohë”.

Nga ana e tij, belgu ka preferuar ta lidhë veten me ngjyrat blu për shkak të besimit se mund të kurorëzojë një projekt, që me Gattuso në stol tashmë ka sjellë Kupën e Italisë, si fillim: “Jam i bindur që fitorja në Kupën e Italisë është fillimi i një projekti, që do të na japë kënaqësi të madhe. Unë me të vërtetë besoj se hendeku me Juventusin është minimal, shumë më pak se sa thotë klasifikimi aktual. Një klasifikim që është rezultat i gabimeve të shumë njerëzve. Ne kaluam një moment të ndërlikuar, ku të gjithë kishim gabime, por dolëm më të fortë, më kompaktë. Jemi të vetëdijshëm për gabimet e bëra”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit