Ylli i Newcastle, Bruno Guimaraes, ka konfirmuar interesimin që Manchester City dhe trajneri Pep Guardiola kanë karshi tij. Gjithsesi, ai shtoi se po e shijon kohën e tij në “St James’ Park”.
Mesfushori ka qenë edhe më parë subjekt i interesimit nga “citizens”, me kontratën e tij që përmban një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh, e cila skadoi qershorin e kaluar.
Guimaraes, i cili iu bashkua Newcastle për 33 milionë euro në janar 2022 nga Lyon, u shpreh: “Unë besoj se në klubin tim jam një idhull dhe kam shumë respekt. Jam kapiteni i Newcastle dhe është diçka që nëse do të më kishit kërkuar tre vjet më parë, ëndrra ime më e madhe do të kishte qenë të luaja në Premier League”.
“Të luash, të jesh idhull, të jesh kapiten është diçka e mrekullueshme. Më pëlqen shumë Newcastle. Sigurisht që interesimi i Manchester City tregon se jam në një nivel të lartë, por nuk ishte asgjë më shumë se interes”, tha Guimares.
“E di që Guardiola e pëlqen futbollin tim. Është normale të kesh trajnerë të mëdhenj që e admirojnë futbollin tënd. Kemi folur një herë, kam lavdëruar punën e tij, ai lavdëroi punën time, por nuk ishte asgjë më shumë se kaq”, tha mesfushori brazilian.