E ardhmja e mesfushorit gjerman Joshua Kimmich me fanellën e Bayern Munich është në dilemë. Sipas “Daily Star”, mësohet se 29-vjeçari ka shrehur dëshirën të largohet, duke treguar edhe ekipin e ri ku synon të luajë.
Kimmich dëshiron të veshë fanellën e Manchester City dhe për një arsye të vetme: Ka dëshirë që të trajnohet sërish nga trajneri Pep Guardiola. Spanjolli ishte ai që vendosi ardhjen e tij te bavarezët në vitin 2015 nga Leipzig.
Kanë kaluar 9 sezone në Mynih dhe mesfushori ka dëshirë të stërvitet sërish nga Guardiola, këtë herë në “Etihad Stadium”. Këtë gjë lojtari ua ka bërë me dije edhe menaxherëve të tij, për të parë mundësinë e transferimit.
Mesfushori ka ende edhe një vit kontratë me Bayern Munich, që pas një viti rrezikon ta humbasë gratis. Ndaj dhe mund të ndodhë që ky transferim të kryhet këtë verë. Kostoja e kartonit të Kimmich është rreth 50 milionë euro.