Messi, CR7, Neymar…; Pele zgjedh partnerin e tij ideal për sulmin

14 Nëntor 2019
12:57
Alfred Lleshi
back button

Legjenda e Brazilit, Pele, pranon se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, do të ishte partneri i përsosur i tij për të luajtur futboll. Një tjetër “votëbesim” se ylli argjentinas është futbollisti më i plotë i epokës moderne. Në fakt, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e ka “çimentuar” tashmë veten midis më të mëdhenjve të të gjitha kohërave në këtë sport. Për shumë njerëz, ai tashmë është ngritur mbi të ngjashmit, Pele dhe Diego Maradona, kur flitet në lidhje me më të madhin ndonjëherë.

I pyetur nga Gazzetta dello Sport për të emëruar një lojtar aktiv të vitit 2019, të cilin do të kishte dashur ta kishte përkrah në lojë, Pele tha: “Unë zgjedh Leo Messin. Ai është një lojtar i aftë, jep asiste, pason, shënon, driblon mirë. Nëse do të ishim në një ekip së bashku, kundërshtarët do të duhet të shqetësoheshin për dy lojtarë, jo vetëm për një! Sot, Messi është lojtari më i plotë”.

Pele pranon se argjentinasi nuk është i vetmi superstar i ditëve të sotme, por mendon se nuk ka aq shumë talente të vërteta të klasit botëror rreth e rrotull, si në të kaluarën: “Dikur mund të gjeje dy, ose tre talente të mëdhenj në çdo vend, me një kulturë të shkëlqyer futbolli. Eusebio, Simoes, Cruyff, Beckenbauer, Maradona, Garrincha, Didi. Sa thashë? Kishte kaq shumë. Sot kemi gjithsej dy, ose tre. Messi e Cristiano Ronaldo, unë do të thosha edhe Neymar, i cili në Brazil nuk ka arritur ende të bëhet një figurë e shkëlqyer”.

Pele beson se bashkatdhetari i tij mund të bëhet lojtari, që të gjithë presin në Brazil, duke pasur një shans lavdie globale në Botërorin e Katarit, në vitin 2022: “Shpresoj që në Kupën e Botës së ardhshme të jetë në gjendje të mirë fizike. Njerëzit e kritikojnë atë. Edhe unë e bëra disa herë, por harrojmë se është një produkt i yni, i akademisë së Santos. Ne gjithmonë duam më të mirën për të. Flas me të shpesh, edhe me babanë e tij. Teknikisht është një lojtar i shkëlqyeshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit