“Messi mund t’ia dalë në Angli, por është rrezik për Manchester City”

23 Nëntor 2020
15:05
Alfred Lleshi
back button

“Lionel Messi mbetet lojtari më i mirë në planet dhe nuk do ta kishte problem të përshtatej me futbollin anglez”, – thotë Gael Clichy. Megjithatë, ish-mbrojtësi i Manchester City nuk është i bindur se “qytetarët” duhet të marrin përsipër ndonjë me superyllin e Barcelonës. Një lëvizje drejt Premier League për gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë” është hedhur në diskutim. Messi, i cili bëri presion për largim nga “Camp Nou” gjatë verës së këtij viti, vazhdon të konsumojë sezonin e fundit të kontratës së tij aktuale. Pra, ai del lojtar i lirë në verë 2021.

Clichy vlerëson se Manchester City do të ishte i etur për ikonën argjentinase, por beson se ka një numër pyetjesh për t’u bërë, përpara se të ndërmerret ndonjë veprim konkret: “Cristiano Ronaldo provoi dhe fitoi në tri liga të ndryshme, Messi qëndroi në Spanjë. Pse do të largoheshit kur po fitoni gjithçka? A mund ta bëjë këtë në Angli? Besoj se ai mundet, sepse cilësia nuk I mungon, pastaj do të ketë një ekip të formuar rreth tij. Guardiola e njeh atë më mirë se çdo trajner tjetër. Messi mund të jetë një sukses në “Etihad”. A është e rrezikshme? Koha do ta tregojë. A mundet Manchester City të bëjë më mirë? Mbase, duke marrë edhe dikë si Messi. A e duan tifozët në klub? Padyshim. A e dëshiron trajneri? Me siguri. A është gati të investojë kaq shumë presidenti? Ndoshta. A është zgjedhja e duhur? Kush e di. Njerëzit po thonë se Messi e ka kaluar kulmin e tij. Unë ende e shoh si lojtarin më të mirë në botë.

A do të ishte një plus për futbollin anglez? Patjetër. Ne mund të parashikojmë diçka vetëm kur të jetë këtu. Messi do të përmirësote çdo skuadër dhe nëse vjen te Manchester City, me Guardiolën trajner, ekipi do të formohet rreth tij. A mund ta përballojë ai orarin (shpeshtësinë e ndeshjeve) dhe motin në Angli? Kush e di. Është një lajm emocionues, nëse bëhet real. Ajo që bënë së bashku në Barcelonë ishte magjike, ndaj vetëm mund të shpresojmë që Leo dhe Pep të ribashkohen. Ju mendoni për Kevin De Bruyne, Messi, Raheem Sterling dhe Sergio Aguero, të gjithë së bashku? Ia vlen të ëndërrosh. A do të ishte zgjidhja e duhur? Nuk jam i sigurt.”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit