Metamorfoza katalanase, kthesa 180 gradëshe e Barcelonës në vetëm një muaj

18 Shtator 2024
10:30
Alfred Lleshi
back button

Pa shpirt, gri, e tmerrshme, fishkëllimat e para, gabime në mbrojtje, lojë e keqe, gjuajtje pa shënjestër, lojë jo efektive… ishin disa nga fjalët apo shprehjet që mund të lexoheshin në mediat kryesore për të përcaktuar ndeshjen e Barcelonës ndaj Monaco në trofeun “Joan Gamper”.

Asokohe ishte 12 gushti, ndërsa tani të dyja skuadrat do të takohen sërish në Champions League, me Barçën që jeton një realitet krejtësisht të kundërt me atë të asaj dite. Ka kaluar vetëm një muaj, por skuadra nga Principata do të gjejë një Barçë që nuk ka asnjë lidhje me atë që u përball në stadiumin olimpik dhe fitoi 3-0.

Grupi i Hansi Flick kishte lënë përshtypje shumë të mira në turneun veror të SHBA, ndaj disfata 3-0 në trofeun “Gamper” ishte një goditje. Katalanasit kishin mundur Manchester City dhe Real Madridin gjatë verës, si dhe kishin humbur kundër Milanit me penallti. Monaco i shkundi si tërmet, fishkëllimat nga tribuna treguan mospajtimin e tifozëve.

Një muaj më vonë, këtë të enjte, më 19 shtator, dy skuadrat do të takohen sërish në Champions League. Do të jetë debutimi i të dyjave në këtë format të ri të trofeut më të mirë kontinental për klubet. Katalanasit shihen si favoritë, edhe pse tashmë e dinë mirë se çfarë do të thotë të sfidosh Monaco. Deri më sot, dhe që kur Hansi Flick mori drejtimin në fillim të korrikut, është kundërshtari i vetëm që i ka mposhtur gjatë kohës së rregullt, pasi Milani fitoi nga 11 metra.

Që kur u luajt trofeu “Gamper”, blaugranat kanë mbajtur një trend të vazhdueshëm rritës. Në La Liga i numërojnë të gjitha ndeshjet me fitore. Ato kanë mundur tashmë Valencia, Athletic, Rayo Vallecano, Valladolid dhe Girona. Dhe jo vetëm kaq, katalanasit po përjetojnë një moment shumë të mirë para portave kundërshtare. Në dy ndeshjet e fundit, kundër Valladolid dhe Girona, ata kanë shënuar 11 gola.

Me këtë sfond, Barcelona ka mundësinë që këtë të enjte të heqë qafe “gjembin” e trofeut “Gamper”. Në fakt, Monaco është e vetëdijshme për vështirësinë e ndeshjes. Në orët e fundit, trajneri i saj, Adi Hütter, ka thënë se pret një ndeshje shumë ndryshe nga ajo e 12 gushtit në stadiumin olimpik. Ka kaluar vetëm një muaj, por Barça ka marrë një kthesë 180 gradëshe.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit