Milan-Juventus, Pioli largon presion: Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare

22 Janar 2022
15:42
Alfred Lleshi
back button

I freskët nga disfata në shtëpi ndaj Spezia, Milani po përgatitet të rikthehet në fushë për t’u përballur me Juventusin në ndeshjen e madhe të javës së 23-të të Serie A. Natyrisht, është në kërkim të atij rezultati që i lejon të qëndrojnë në vazhdën e kreut, i mbajtur nga Interi për momentin.

Stefano Pioli e prezantoi ndeshjen ndaj bardhezinjve në konferencën e zakonshme për shtyp, ku nënvizoi: “Që renditja jonë është e mirë, kjo duket qartë. Është po aq e qartë se Juve nuk e nisi mirë, por tani ndodhet në një moment të shkëlqyer. Një paraqitje normale nesër nuk do të mjaftojë, por do të duhet një paraqitje e nivelit të lartë.

Nesër është një ndeshje e rëndësishme. Nuk do të jetë vendimtare, por e rëndësishme, sepse Juventusi ka qenë i pamposhtur në 8-9 ndeshje dhe po rifiton pikët e humbura rrugës. Fitorja nesër do të ishte shumë e rëndësishme për renditjen tonë.

Kemi tri rikthime të rëndësishme: Calabria, Romagnoli dhe Bennacer. Ata janë mirë, të gjithë në dispozicion. Ibra është mirë dhe gati, si të gjithë ne. Ideja për të luajtur me Ibrën dhe Giroud njëherësh? Jo, jo tani. Dhe sidomos jo në fillim të lojës. Ne kemi ekuilibrin tonë si ekip. Pastaj, në zhvillim e sipër të lojës, kjo mund të jetë një zgjidhje.

Brahim Diaz? Ai kishte një rënie të gjendjes fizike më parë, tani e shoh të freskët dhe guximshëm si në fillim të sezonit. Nuk ka qenë gjithmonë vendimtar në ndeshjet e fundit me topin, por ka qenë vendimtar me lëvizjet. Performancat e tij po rriten, por unë pres qartësisht lojëra vendimtare prej tij.

Si mund t’ia dalim ndaj Juves dhe Interit? Kemi shumë cilësi, sidomos në nivel teknik dhe mental, luajmë me energji dhe vitalitet të madh. Pastaj ka vështirësi, por ato mund të kapërcehen nëse luan si ekip.

Ibra nuk ka shënuar në “San Siro” që nga shtatori? Nuk ka ndonjë arsye taktike. Ai kishte shanset e tij dhe nuk ishte në gjendje të përfitonte prej tyre. Nesër nuk do të ketë 10 shanse, por mendoj se mund të jetë vendimtar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit