Pritej sot në mëngjes dhe mbërriti menjëherë. Milani komunikoi zyrtarisht lamtumirën e Stefano Piolit: “AC Milan dhe Stefano Pioli komunikojnë se nuk do të vazhdojnë së bashku sezonin e ardhshëm, duke ndërprerë marrëdhënien profesionale që i ka lidhur që nga tetori 2019.
Milani falenderon me dashuri Stefano Pioli dhe të gjithë stafin e tij për drejtimin e ekipit të parë në këto pesë vite, për fitimin e një tituli që do të mbetet i paharrueshëm dhe për rikthimin e vendosur të klubit kuqezi në garat më të rëndësishme evropiane. Me profesionalizmin dhe humanizmin e tij e ka përmirësuar skuadrën, duke mishëruar vlerat themelore të klubit tonë që nga dita e parë”.
Po ashtu, ka mbërritur edhe mesazhi i trajnerit në largim: “Stefano Pioli falënderon Milanin për mundësinë për të qenë pjesë e historisë së këtij klubi të lavdishëm dhe shpreh mirënjohjen e thellë për pronarët, drejtuesit, ekipin, stafin dhe gjithë personelin e Milanello e ‘Casa Milan’, për mbështetjen dhe profesionalizmin e madh. Trajneri iu drejton një mendim të veçantë tifozëve të shumtë që kanë mbështetur Milanin në vitet e fundit, duke demonstruar lidhje të pakushtëzuar”.
Të shtunën, trajneri nga Parma do ta drejtojë ekipin kuqezi për herë të fundit dhe do të marrë falënderimet e merituara nga tifozët e tij. Në Australi, ku kuqezinjtë do të përballen me Romën në një miqësore, Daniele Bonera do të jetë në stol.