Milan po synon një lëvizje të bujshme në merkato, për të sjellë në Milanello mbrojtësin e Barcelonës, Inigo Martinez. Lajmi është konfirmuar sot nga e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”.
Ish-mbrojtësi i Athletic Bilbao, që verën e vjetshme u transferua te katalanasit, ka luftuar për të luajtur si titullar në ekipin e parë te Barcelona. Ai e mbylli sezonin e fundit me 20 ndeshje në La Liga (25 në total).
Lojtari ka ende edhe një vit kontratë me klubin “blaugrana”, por 33-vjeçari mund të largohet për 4-5 milionë euro. Ai ka mjaft përvojë edhe në arenën ndërkombëtare e me kombëtaren spanjolle (1 gol në 21 ndeshje).
Milan po interesohet për të sjellë një mbrojtës me përvojë dhe që kushton pak, ndaj Inigo Martinez konsiderohet si profili i duhur. Kuqezinjtë i ofrojnë një kontratë 1 vjeçare me mundësi rinovimi për një sezon të dytë.