Torino dëshiron ta rinovojë kontratën e Samuele Ricci, e cila skadon në qershor të vitit 2026. Aktualisht, megjithatë, nuk ka lajme për marrëveshje që do ta zgjaste qëndrimin e “regjisorit” me fanellën e “granatave”.
Situata kontraktuale, e kombinuar me një fillim sezoni mbresëlënës, që i solli ftesën e Spallettit për në kombëtare dhe aftësinë e tij për të mbuluar të gjitha rolet në mesfushë, e kanë vendosur Ricci-n në qendër të merkatos së ardhshme.
Torino, nëse nuk arrin të bëjë përparime në drejtim të rinovimit, do të detyrohet ta shesë atë për të shmangur humbjen me parametra zero. Për pasojë ka spekulime për një largim të mundshëm që në janar.
Çmimi i vendosur nga presidenti Cairo është i lartë, rreth 35 milionë euro, por Milani po e konsideron seriozisht këtë mundësi. Ky profil mesfushori mungon në skuadrën e Fonseca, edhe pse rikthimi i Bennacer mund ta mbulojë pjesërisht këtë boshllëk.
Nuk është sekret që edhe Interi e dëshiron atë, duke pasur nevojë për një alternativë të vlefshme ndaj Calhanoglu, për të forcuar një repart që do të bëhej ndër më të plotët në botë, duke përfshirë titullarët dhe rezervat e mundshme.
Ricci pëlqehet shumë edhe nga Manchester City e Liverpool në Premier League. Manchester City, që ndodhet në një krizë teknike dhe gjyqësore, është ende në kërkim të një zëvendësi për Rodri, ndërsa Liverpool-i, që po shkëlqen në Premier League dhe Champions, nuk ka një mesfushor me këto karakteristika.
Dy gjigantët anglezë janë gjithashtu në garë për Zubimendi e Real Sociedadit. Ka të ngjarë që kush nuk arrin te spanjolli, mund ta drejtojë interesin e vet konkret te lojtari i Torinos. Kushdo që arrin ta transferojë atë, gjithsesi, do t’i mundësojë Empolit, skuadrës që e ka formuar Ricci, të marrë 10% të vlerës së shitjes.