Ekipi i Milwaukee ka fituar ndeshjen e parë play off të Konferencës së Lindjes, duke mundur 108-100 Toronton dhe udhëheq 1-0 serinë e takimeve. Një ndeshje ku skuadra vendase udhëhoqi shumë pak minuta, disi në fillimin e lojës dhe më pas në fundin e saj. Gjithsesi, kaq mjaftoi për ta fituar këtë ndeshje të parë finale.
Skuadra e Torontos e pati shumicën e kohës lojën nën kontroll, madje u shkëput deri në 13 pikë. Për kanadezët u dalluan Leonard me 31 pikë e Lowry me 30, por të vetëm e patën të pamundur të triumfojnë. Pikërisht në fundin e ndeshjes erdhi përmbysja e Milwaukee, që triumfoi falë 29 pikëve e 11 rebound të Brook Lopez.
Mirë u paraqit edhe Giannis Antetokounmpo, që realizoi 24 pikë e 14 rebound. Të dyja ekipet i aktivizuan shumë pak lojtarët e stolit. Milwaukee është skuadra me rezultatin më të mirë të sezonit të rregullt në NBA dhe në të gjitha ndeshjet ka faktorin fushë në favorin e saj. Edhe finalja e dytë do të luhet në fushën e saj, pas 48 orësh.
Konferenca e Lindjes – Finale Play off
Milwaukee – Toronto, 108-100 (1-0)
Konferenca e Perëndimit – Finale Play off
Golden State – Portland, (1-0)