Mirë se vini në Rrogozhinë, aty ku të ëndërrosh nuk është më e ndaluar!

27 Maj 2024
13:10
Telesport
back button

Futbolli ndonjëherë shkruan faqe dhe skenare që edhe në Hollyëood mjeshtërit e mëdhenj si Quentin Tarantino dhe James Cameron do të kishin “zili”. Janë fletë të bardha ku me një stilolaps nis të shkruash në lidhje me diçka, me dikë, një histori të pazakontë, një fund të lumtur, mes në mes diçka tronditëse.

Dhe kur e ke mbyllur skenarin dhe e rilexon, sheh se sa intrigues është. Nuk është kaq intriguese rruga drejt një qyteti të quajtur Rrogozhinë, rreth 71 km larg Tirane me pak më shumë se 22 mijë banorë ne 223 kilometra katrorë.

Aty ku festa ka pushtuar rrugët e vogla, shtëpitë dhe familjet. Sepse, Klubi i Futbollit Egnatia u shpall Kampione Shqipërie dhe e bëri duke veshur kostumin më të bukur, në Air Albania, atë të dominuesit të sezoni dhe duke i marë direkt kurorën Partizanit.

E bëri duke mbajtur kreun e renditjes në sezonin e rregullt dhe duke e mbrojtur këtë status edhe në gjysmëfinalen dhe finalen e “final four”. E bëri me një grup futbollistësh shpesh të nënvlerësuar, me një trajner të ri, Edlir Tetova, por të guximshëm në idetë e tij të lojës.

E bëri me një president-pronar, Agim Demrozi, prej më shumë se 2 dekadash në Itali, një biznesmen i suksesshëm që mori Egnatian nga kategoritë e ulëta dhe i dha shkëlqim në këto vite, duke investuar në futbollistë, në strukturë (stadiumi Egnatia Arena ndryshe dhe Demrozi Stadium që ka kushtuar jo pak dhe që është ndërtuar e financuar i gjithi nga pronari i klubit) por sidomos në rroga, pasi në klubin rrogozhinas rrogat janë më të larta se te Partizani dhe Tirana, e thënë kjo nga vetë presidenti Demrozi.

Klubi u themelua më 15 shtator 1934 me emrin 22 Shtatori Rrogozhinë, dhe në vitin 1991, emri i klubit u ndryshua në Vullneti Rrogozhinë, përpara se të riemërohej në emrin aktual KS Egnatia Rrogozhinë në vitin 1998.

Pasioni dhe dëshira për lojën e futbollit u integrua në zemrat e qytetarëve dhe patriotëve vendas që në vitet e para të Luftës së Parë Botërore. Rrogozhina duke qenë fqinjë me Kavajën, një qytet me traditë të gjatë në futbollin në nivel kombëtar dinte ta përdorte këtë eksperiencë në avantazhin e vet duke formuar fillimisht një ekip të nivelit amator, i cili më pas do të garonte në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar.

Pas çlirimit të vendit pas Luftës së Dytë Botërore, struktura e ligës ndryshoi duke lejuar vetëm ekipet e nivelit të rrethit të konkurrojnë në dy divizionet më të mira. Kjo e vështirësoi konkurrimin në nivel kombëtar Rrogozhinë, një lokalitet në atë kohë.

Egnatia pati një sezon në ligën më të lartë të futbollit shqiptar pasi fitoi promovimin në verën e vitit 2004.  Ata ranë vetëm në tentativën e pare.

Egnatia u promovua në ligën më të mirë të futbollit shqiptar, Kategoria Superiore, për herë të dytë në historinë e tyre më 2 maj 2021, pas fitores 1–0 ndaj rivalëve vendas Besa Kavajë në raundin e promovimit të Kategorise se Pare 2020–21.

Nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani, ata përfunduan në krye të Grupit B gjatë sezonit të rregullt dhe u kualifikuan për në raundin e promovimit, ku përfunduan edhe në krye, duke siguruar vendin e tyre në finalen e kampionatit të zhvilluar më 21 maj 2021 kundër fituesve të Grupit A, Dinamo Tirana, ku ata fituan 1–0 përmes një goli në kohën shtese nga Ndriçim Shtubina.

Më pas, vetëm një rritje dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë vjet dhe sivjet “double” me Kupë dhe titull kampion. Dhe për Egnatian tani kjo verë do të hapë edhe dyert e Champions League, për herë të parë në histori. Asgjë e falur, gjithçka e merituar!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit