Kombëtarja vijon përgatitjet që prej ditës të hënës në Tiranë, në kuadër të dy sfidave të radhës së “Nations League”, ndaj Çekisë (11 tetor) dhe Gjeorgjisë (14 tetor). Me grupin janë bashkuar të gjithë lojtarët, ndërkohë që sot, në konferencën e zakonshme për median, dolën dy mbrojtësit Mario Mitaj e Marash Kumbulla. Të dy shkodranët kuqezinj iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, folën për dy ndeshjet e afërme të kombëtares.
Mario Mitaj u shpreh se Çekia është tashmë një kundërshtar i njohur për ta, skuadra e di se çfarë duhet të bëjë për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Mitaj theksoi se e sheh më të fortë ekipin shqiptar në mbrojtje, ndërsa nënvizoi se humbja me Gjeorgjinë nuk ka ndikuar në psikologjinë e kuqezinjve. Ndër të tjera, Mario foli edhe për aventurën e re me Al Itihadin.
Sa vigjilente duhet të jetë mbrojtja në sfidën ndaj Çekisë?
Me Çekinë kemi luajtur vitin e kaluar dy herë. E njohim kundërshtarin, e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mbrojtja jonë është shumë e fortë, thuajse të gjithë lojtarët kanë shumë minuta aktivizim me klubet e tyre. Kanë luajtur mirë dhe nuk besoj se do kemi probleme në këtë aspekt.
Pozicioni juaj si mesfushor tek Al Itihad…
Trajneri më ka vendosur në fushë aty ku ndihem mirë, e kam shprehur dëshirën të luaj në këtë rol. Në kombëtare jam mësuar të luaj si mbrojtës i majtë, këtu më pëlqen të luaj më shumë.
Si e sheh skuadrën kombëtare në këtë moment?
E njohim kundërshtarin më mirë se më herët. Jemi më të fortë besoj në këtë moment.
Si të kanë pritur në Arabinë Saudite?
Jam çuditur me mënyrën si më kanë pritur. Sidomos lojtarët, më janë gjendur afër. Edhe pjesëtarët e klubit janë shumë profesionistë. Jam ambientuar shpejt.
Ku jemi ne më mirë krahasuar me çekët?
Në mbrojtje besoj se jemi më të fortë. Qendërmbrojtësit, mbrojtësit e krahut pothuajse luajnë me klubet e tyre dhe kanë minuta në këmbë.
Sa do të ndikojë kalimi yt tek Al Itihadi, pasi luan me kampionë bote?
Besoj se çdo lojtar ka dëshirë që të luajë me Benzema, Kante, futbollistë që kanë bërë karrierë të madhe në Europë. Besoj se do më ndihmojnë për të ardhmen, për t’u bërë një lojtar më i mirë, për t’u zhvilluar edhe si person.
Sa ndikon humbja me Gjeorgjinë?
Gjithmonë, kur futemi në fushë, dëshira jonë është që të fitojmë. E nisëm mirë, me fitore ndaj Ukrainës, pastaj humbëm. Nuk duhet që kjo humbje të ndikojë në psikologjinë tonë, por të na shtyjë të rikthehemi te fitorja.
Gjatë konferencës për shtyp, Marash Kumbulla tha se dy kundërshtarët e radhës janë shumë të vështirë, por si gjithmonë kombëtarja do të futet në fushë për të fituar. Qendërmbrojtësi kuqezi komentoi edhe formën e mirë që po kalon me ekipin e Espanyol në La Liga, si dhe konkurrencën e madhe në repartin e prapavijës në kombëtare.
Periudha e dëmtimit, sa e vështirë ishte?
Ajo periudhë ishte shumë e keqe për mua. Një vit e gjysmë pa luajtur, edhe pas dëmtimit, muajt në vazhdim nuk ishin shumë të thjeshtë. Gjatë verës zhvillova një fazë përgatitore shumë të mirë, kalova tek Espanyol dhe po i luaj të gjitha ndeshjet. Fizikisht ndihem shumë mirë, jam shumë i lumtur për këtë moment.
Po kaloni një formë shumë të mirë, së bashku me Ismajlin. Sa garanci jep kjo dyshe mbrojtëse në ndeshjet e radhës?
Jep garanci, por kjo nuk është vetëm punë e imja dhe e Ismajlit. Garancia më e madhe është puna e gjithë ekipit. Kemi shumë konkurrencë, jemi shumë të mirë si mbrojtës, jo vetëm në qendër, por edhe në krahë. Pastaj vendos trajneri, cilido që të luajë do të bëjë mirë.
Me sa pikë mendoni se kombëtarja është e kënaqur në këto dy ndeshje?
Ne do futemi në fushë si gjithmonë për t’i fituar ndeshjet. Tani mendojmë vetëm për Çekinë, është një ekip shumë fizik dhe i fortë në duele. Më pas do të flasim për Gjeorgjinë.
Pas golit me Espanyol, a presim një gol edhe me ngjyrat kuqezi?
Po e pres edhe unë, pasi janë shumë ndeshje pa bërë gol në kombëtare. Kam shumë dëshirë që të shënoj.
A ka ngacmime me nota humori mes teje, Ismajlit dhe Ajetit?
Nuk ka ngacmime, kombëtarja është e para. Nëse ekipi fiton, të tjerat vijnë mbrapa. Është normal që të gjithë lojtarët duan të luajnë, por e dimë që në kombëtare ka shumë konkurrencë. Janë të gjithë shumë lojtarë të mirë, të shohim zgjidhjet e trajnerit.
Dallimi mes kampionatit spanjoll dhe italian?
Kampionati në Spanjë është ndryshe nga ai në Itali. Është më shumë taktik, loja është e hapur me kundërsulme dhe duele. Jam përshtatur shumë mirë në këtë kampionat.
Nuk keni qenë në dy ndeshjet me Çekinë në kualifikueset e Europianit. Tani a jeni më i motivuar për fitoren?
Po, sigurisht. Të dyja ndeshjet i kam parë nga shtëpia. Siç e thashë edhe më para, me Çekinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne jemi shumë të motivuar, edhe ekipi kundërshtar, gjithashtu. Presim një përballje shumë të vështirë.